Për tërmetet dhe pasojat e tyre flasim vetëm kur ndodhin tragjedi. Ngjarja e Turqisë dhe e Sirisë na ktheu tre vite më parë kur Shqipëria u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Por çfarë ka ndryshuar sot në ligjin për ndërtimet dhe hartën sizmike? Për fat të keq ende asgjë thonë ekspertët. Kuadri ligjor i ndërtimeve dhe harta sizmike në fuqi janë të viteve 79-80.
Rikard Luka, profesor në fakultetin e Inxhinierisë së ndërtimit tregon se sot pjesa më e madhe e ndërtuesve zbatojnë standardet e Bashkimit Europian qe njihen ndryshe si “eurokodet”.
Por për sa kohë ato nuk janë të detyrueshme më ligj, nuk mund të kërkohet zbatimi i tyre nga çdo ndërtues. Ndërkohë, pas tërmetit të 26 nëntorit ende nuk ka një analizë apo vlerësim për godinat mbi 50-vjeçare në territorin e vendit.
Sipas ligjit dhe hartës sizmike në fuqi, ndërtimet në Shqipëri, veçanërisht në bregdet, zona më e prekur nga tërmetet, mund të përballojë goditje 8-9 ballë. Por tërmeti i 26 nëntorit tregoi se jo vetëm objektet e vjetra por edhe ndërtimet e reja u dëmtuan për shkak të mos respektimit të kushteve teknike.
/A2CNN/ a.r