Një sesion fotografik i një çifti transgjinor nga India që ka ndaluar përkohësisht terapinë hormonale për të sjellë në jetë një fëmijë, është bërë viral në rrjetet sociale.
Ziya Paval, 21 vjeç dhe partneri i saj, Zahad, 23 jetojnë në Kerala dhe ndodheshin në mes të terapisë së ndryshimit të gjinisë kur morën vendimin për t’u bërë prindër, raporton “BBC”.
Paval, e cila thotë se ka dashur gjithnjë të jetë prind, i përkiste seksit mashkull kur erdhi në jetë ndërsa tani identifikohet si femër. Zahad, i cili përdor vetëm një emër, lindi si femër dhe tani identifikohet si mashkull. Ai është shtatzënë dhe çifti po pret që fëmija i tyre të vijë në jetë.
Në rrjetet e tyre sociale, ata kanë urime të panumërta nga ndjekësit e tyre.
Ata thonë se historia e tyre mund të jetë e rrallë në Indi sepse “për sa jemi në dijeni, askush në komunitetin transgjinor nuk e ka quajtur veten prind biologjik”.
India mendohet të ketë rreth 2 milionë persona transgjinorë, edhe pse aktivistët thonë se numri është më i lartë. Në vitin 2014, Gjykata Supreme indiane tha se ata kanë të drejta të barabarta me të tjerët. Megjithatë, komuniteti vijon të përballet me vështirësi në qasjen në edukim dhe sistemin shëndetësor si dhe paragjykim e stigmë.
Kur Paval dhe Zahad u njohën 3 vjet më parë, të dy ishin larguar nga familjet përkatëse.
“Vij nga një familje konservatore myslimane që nuk më lejoi kurrë të mësoja balet klasik”, thotë Paval. Prindërit e mi janë kaq striktë sa më prisnin flokët që mos të kërceja”. Ajo shton se u largua nga shtëpia gjatë një festivali rinor dhe nuk u kthye më kurrë. Paval mësoi të kërcente në një qendër të komunitetit transgjinor. Tani ajo ua mëson nxënësve në distriktin Kozhikode.
Zahad, vjen nga një familje katolike në një komunitet peshkatarësh dhe aktualisht punon në një supermarket. Ai u largua nga shtëpia pasi iu tregoi se është transgjinor. Por pasi mbeti shtatzënë, familja e ka pranuar dhe mbështetur çiftin. “Ata po e ndihmojnë Zahad gjatë shtatzënisë”, thotë Paval.
Ishte nëna e Zahad që i kërkoi fillimisht çiftit që mos ta bënte publike shtatzëninë. Ata postuan njoftimin në rrjetet sociale gjatë javës së kaluar pasi morën miratimin e saj. Paval thotë se familja e saj nuk ka reaguar.
Çifti vendosi të bëhej me fëmijë rreth 1 vit e gjysmë më parë kur ndodheshin në faza të ndryshme të terapisë së tyre për ndryshimin e gjinisë. Vezoret dhe mitra e Zahad nuk ishin hequr ende ndaj me këshillimin e mjekëve, ata ndaluan terapinë. Mjekët e çiftit nuk janë të autorizuar për të dhënë deklarata.
“Pasi shtatzënia të përfundojë, ata mund të vazhdojnë me terapinë e hormoneve”, thotë një mjek nga Bangalore që ka punuar me persona transgjinorë.
Kur të lindë fëmija, çifti thotë se do të kenë nevojë për punë të tjera në mënyrë që t’ia dalin me shpenzimet. Paval ka ndërmend të shtojë orët e leksioneve ndërsa Zahad rikthehet në punë pas 2 muajsh e prej andej do të kujdeset Ziya për foshnjen.
“Ka njerëz brenda dhe jashtë komunitetit transgjinor që besojnë në stereotipe. Ata mendojnë se një burrë transgjinor nuk mund të mbajë në bark një fëmijë. Por nuk ka rëndësi”, thotë çifti ndërsa shton se kanë gjetur mbështetje nga transgjinorë të tjerë.
/a.r