Qeveria siriane ka rënë dakord me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të dërguar ndihma ushqimore në zonat e luftës. Aleppo dhe zona të tjera janë në krizë urie prej javësh e muajsh. Bëhet fjalë për shtatë zona gjithsej në të gjithë vendin.
“Agjencitë humanitare dhe partnerët po përgatisin konvojë për këto hapësira, për t’u nisur sa më shpejt që është e mundur gjatë ditëve të ardhshme”, tha mbrëmë vonë, Vanessa Huguenin, nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Damasku ka dhënë leje për ndihmat humanitare, pasi i dërguari special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, vizitoi këtë vend para dy ditësh.