Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Sa i takon debateve mbi lidhjen e kryeministrit Rama me ish- zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal nëse mendon se kjo po bëhet për të larguar vëmendjen nga dosjet e hapura si ajo e “21 janarit” apo “Gërdecit”, deputeti Koçi theksoi se këto janë sulme të Berishës për shkak të shpalljes “non grata” të tij.
Madje ligjvënësi socialist deklaroi për gazetën “SOT” se prova e re që ka dal për “21 janarin” i detyron organet e drejtësisë që të rifillojnë hetimin dhe pastaj të krahasojnë të dhënat e reja me dëshmitë e vjetra. I pyetur lidhur me pritshmëritë e PS në zgjedhjet e 14 Majit, zoti Koçi theksoi se Partia Socialiste ka pritshmëri shumë të lartë për të fituar zgjedhjet vendore. Sipas tij, asnjë parti tjetër nuk mund të krahasohet me PS-në.
Takimi i një zyrtari amerikan është krejt normal, nuk ka asgjë të pandershme. Rama ka dhënë një shpjegim lidhur me këtë çështje. Për mua nuk ka rëndësi se çfarë thonë disa të tjerë. Nëse do të marrim për referencë frikën, kjo është frika e opozitës, pasi duket pritur një dështim tjetër më 14 maj, fillon me konspiracione.
Mund të them që marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA aktualisht janë të shkëlqyera dhe kurrë nuk kanë qenë më lart se sa sot. Janë të tjerët ata që i kanë rrezikuar këto marrëdhënie, njëri është Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga DASH. Sa i takon interpelancës, dua të theksoj se në Parlament është e drejta e fjalës dhe e mosfjalës. Me dhunë nuk mund të detyrosh askënd të flasë aty. Mund të ketë argumenta që justifikojnë kërkesën e opozitës që në interpelancë të ishte vetë kryeministri Rama por mendoj se gjithë problemi është dhuna.
-Po sa i takon debateve mbi lidhjen e kryeministrit Rama me ish- zyrtarin e lartë të FBI, mendoni se kjo bëhet për të larguar vëmendjen nga dosjet e hapura si ajo e “21 janarit” apo “Gërdecit”?
Unë mendoj se më shumë e kanë me çështjen e shpalljes ‘non grata’, sepse ai kërkon që në publik të krijohet përshtypja që ka një bashkëpunim mes mazhorancës dhe SHBA që godasin këtë dhe shpallja ‘non grata’ ka më shumë lidhje me këtë lloj mekanizmi që supozon ai. Për këtë ‘21 janar’ që kaloi doli në skenë edhe një provë e re dhe kjo i shërben se nuk është i interesuar që publiku dhe institucionet e drejtësisë të merren me “21 janarin” apo me “Gërdecin” dhe i duhet që të bëjë një lloj balancimi në gjykimin e tij, por unë them se hallin kryesor e ka tek shpallja ‘non grata’. Atij i duhet një lloj alibie që të justifikoj që prapa kësaj shpallje ‘non grata’ është një lloj bashkëpunimi nga Shqipëria dhe përpiqet që këtë ngjarje ta shfrytëzoj.
-Pak ditë më parë u mbushën plot 12 vite, ku gjatë protestës së opozitës Garda vrau 4 qytetarë. Si i shihni provat e reja që kanë dalë për masakrën e “21 janarit”?
Kur vijmë tek ‘21 janari’ kemi një bashkim interesash mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës dhe po të vësh re ata gjithmonë e kanë ruajtur njëri- tjetrin sa i përket kësaj ngjarje. Prova e re që ka dal i detyron organet e drejtësisë që të rifillojnë hetimin dhe pastaj të krahasojnë të dhënat e reja me dëshmitë e vjetra. Sigurisht aty është bashkë edhe zoti Meta, sepse u vranë 4 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë për të mbrojtur qeverinë, por natyrisht Ilir Metën në fakt.
Lulzim Basha është një ndër dëshmitarët që nuk është konsumuar si i tillë, drejtësia duhet që ta shfrytëzojë atë pozicion që ka pasur ai dhe faktin që në përgjim del që dikush nga garda duhet që ta takonte sepse ishte duke e pritur. ‘21 janari’ është një ngjarje shumë e rëndë dhe është detyrim i madh që kjo çështje të zgjidhet.
Nuk ka asnjë pengesë ligjore sepse nuk ka parashkrim për vrasjet dhe ata që janë dënuar deri më tani janë dënuar vetëm për dy nga vrasjet që ndodhën, jo për dy të tjerat. Në gjykimin tim Berisha është përgjegjësi kryesor sepse fshiu serverët e Kryeministrisë, për atë duhet që të kishte ndëshkim. Berisha bëri edhe një deklaratë për të cilën duhet që të përgjigjet kur tha se do merrte snajper dhe do qëllonte Ramën, ai ka penguar edhe fizikisht prokurorinë.
-Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta kanë thirrur një protestë me 11 shkurt, ku si kauzë po përdor skandalin “McGonigal”. Keni një koment?
Me shumë të drejtë mund të them se kanë marrë urdhër nga Moska që të destabilizojnë vendin sepse atë po bëjnë. Nuk ka asnjë indicie të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA. Sali Berisha është i shpallur ‘non-grata’ dhe i ka dëmtuar shumë herë marrëdhëniet me Amerikën.
Këto sjellje të dhunshme në parlament që të kujtojnë sulmet e pareshtura me flakadanë. Kemi të njëjtë PD që është simboli i dhunës dhe i destabilizimit të institucionit. Problemet më të mëdha mendoj se i ka Berisha dhe i ka edhe familjare. Kështu që me shumë të drejtë mund të them se kanë marrë urdhër nga Moska që të destabilizojnë vendin sepse atë po bëjnë.
-Ndërkohë të ndalemi tani pak edhe tek zgjedhjet lokale që po afrohen, si janë pritshmërit e PS në “vendoret” e 14 Majit?
Opozita po mori 5 bashki duhet të jetë e lumtur. Kemi pritshmëri shumë të lartë për të fituar zgjedhjet vendore. Makineria organizative e PS është vënë në lëvizje. Jemi partia më e strukturuar në vend. Asnjë parti tjetër nuk mund të krahasohet me Partinë Socialiste. Nga pikëpamja e përdorimit të teknologjive jemi edhe më të përparuar. Aktualisht strukturat janë duke punuar me listat e shpallura të zgjedhjeve për të skanuar emër për emër çdo zgjedhës, Për të punuar jo vetëm me votuesit tradicionalë por edhe me ata që mund të jetë të lëkundur të zhgënjyer nga braktisja spektakolare që i ka bërë opozita. PS ka krijuar modele në qeverisjen vendore.
PD me ish bashkiakët e saj nuk u afrohet gjëkundi. Shembulli më i madh është Tirana ku bashkiaku i Saliut që ishte Basha dallohej për gjumin. Kurse Erion Veliaj ka qenë shëmbëlltyrë e suksesit. Berisha nuk e ka ndërmend të fitojë zgjedhjet. Ka hall si të mundë krahun tjetër të opozitës dhe jo Partinë Socialiste. Ai punon çdo ditë se sit ë humbasë zgjedhjet. Është shembulli më i qartë i atyre që duan të kthejnë Shqipërinë mbrapa.
Këta janë shërbëtorë të kthimit mbrapa. Një pjesë e madhe e elektoratit të PD është e zhgënjyer. Duke qenë se këto zgjedhje kanë vlerë politike, shumë nga votuesit e PD do votojnë për kandidatët e PS. Për Sali Berishën nuk do jetë e dhimbshme fare. Ai e ka të qartë humbjen.
-Kur pritet që të konfirmohen emrat e PS për kandidatë zyrtarë për kryetarë bashkie nga kryesia e Partisë Socialiste në bazë të vlerësimit dhe performancës së tyre?
Emrat të gjithë do të konfirmohen kur struktura zyrtare është përgjegjëse me statut, të shprehet. Është kryesia e PSSH që do të shprehet. Deri tani kandidati më i konfirmuar, është kandidati i Tiranës, Erion Veliaj. Kryesia e PS ku unë nuk bëj pjesë do gjykojë vetë lidhur me performancën dhe imazhin publik të zotit Subashi. PS e kombinon këtë vlerësim edhe me sondazhe në terren.
Nuk e di se në çfarë niveli janë sondazhet, por vendimi do merret në lidhje me vlerësimin e kandidaturës dhe sondazhin që është një dimension që është tejet ndikues në vendimmarrjen përfundimtare. Si me një, si me dy kandidatë, opozita është e humbur. Edhe sikur të dalë me një kandidat sot PD është e ndarë në dy pjesë.
Është një pjesë që mendon që mbi Sali Berishën nuk rrinë dot interesat e Shqipërisë në raport me SHBA. Është një pjesë tjetër që mendon se interesat kombëtare janë më të rëndësishme në raport me interesat personale. Kjo është një ndarje që ka shkuar thellë në strukturën dhe anëtarësinë e PD.