Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit ka nisur me replika mes kryetares së këtij organizmi, deputetes demokrate Majlinda Bregu dhe ministres së Integrimit Klajda Gjosha.
Në fjalen e hapjes, ish ministrja Bregu, i “kërkoi llogari” pasueses së saj në këtë post nëse qeveria ka përgatitur një dokument zyrtar për hapjen e negociatave me BE-në.
“Zonja ministre, a ka sot një dokument zyrtar të përgatitur nga qeveria, për nisjen e negociatave? Nëse po kush e ka miratuar sa gjithëpërfshirës ka qene dhe çfarë kontributi ka nga aktorët e tjerë për të siguruar gjithëpërfshirjen.”- deklaroi Bregu.
Ministrja Gjosha u përgjigj se qeveria ka qenë gjithmonë transparente sa i takon dokumenteve, strategjive dhe hapave të ndërmarrë në procesin e përmbushjes së kushteve për integrim.
“këto takime nisin me kritika, disa prej tyre të pabaza. Qeveria ka qenë e hapur, sidomos për përmbushjen e rekomandimeve. Të gjitha dokumentet janë ndarë me ju. Plani kombëtar është miratuar para një jave në qeveri, do të ndahet edhe me komisionin e integrimit, këshillin dhe të gjithë aktorët përkatës. Përsa i përket dokumentit strategjik, do të diskutohet me të gjithë aktorët, do të ndahet dhe me këshillin. Ky është një dokument që në fakt nuk është i maturuar nga ana jonë për tu bërë publik”- deklaroi ministrja Gjosha.