Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë trokitën më rrallë në banka për të marrë kredi fund-vitin e shkuar. Për të katërtin muaj me radhë kredia e re vijoi trajektoren rënëse gjatë dhjetorit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e huasë së re ra në 30.6 miliardë lekë nga 38.5 miliardë lekë që ishte në dhjetorin e vitit 2021 duke shënuar kështu një tkurrje me 25 për qind.
Tkurrja e kredisë së re gjatë dhjetorit të shkuar përkon edhe me rënien e besimit në ekonomi. Treguesi i besimit për konsumatorët qëndroi nën mesataren historike, duke dhënë shenja të qarta se qytetarët nuk ishin gati të kryenin shpenzime.
Megjithatë, marrë në rrafshin e 12-mujave, kredia e re nga sektori bankar për vitin 2022 arriti vlerën e 278.5 miliardë lekëve, në rritje me 5.3 për qind krahasuar me një vit më parë.
Vlera e kredisë së re është më e larta në shtatë vitet e fundit, por rritja ka ardhur kryesisht në pjesën e parë të vitit. Pjesa e dytë e 22-shit ka shënuar një tendencë të qartë ngadalësuese, duke reflektuar efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së shpejtë të normave të interesit.
/a2cnn/ a.r