Historiku i ministrave të brendshëm në Shqipëri në kohën e Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Duket në mënyrë sipërfaqësore sapo hapim historinë që pushtetet politike në Shqipëri e kanë patur mjaft të theksuar luftën me kundërshtarin, por dhe luftën e brendshme. Kjo ka sjellë eliminime fizike të bashkëpunëtorëve kryesorë të këtyre drejtuesve.
Fenomeni më i dukshëm është tek ata që mund të konsideroheshin krahu i djathtë i drejtuesit, në këtë rast drejtuesit e ministrisë së brendshme të cilët në pjesën më të madhe të rasteve kanë patur një fund aspak të mirë.
Ata që ishin figurat që drejtuan ministrinë e brendshme në kohën e Ahmet Zogut u arrestuan ose vranë nga regjimi pasardhës dhe ndryshe nga kjo regjimi pasardhës me në krye Enver Hoxhën i ka eliminuar nga intrigat e brendshme. Pjesa tjetër që ishin ministra në komunizëm u arrestuan pas 1991 kur ra komunizmi dhe erdhi demokracia.
Prej vitit 1924 deri në 1939 kur pushtetin e kishte Ahmet Zogu, emrat që drejtuan këtë ministri janë:
Ceno Kryeziu (prill-shtator 1925),u vra nga një atentat që në shtator të 1925.
Musa Juka (shtator 1925-shkurt 1927/nëntor 1930 – tetor 1935/nëntor 1936-prill 1939), dënuar me vdekje në mungesë pasi ja kishte dalë mbanë të arratisej që në 6 prill të 1939.
E’tem Toto (tetor 1935-nëntor 1936). Vrau veten në 1937 pas dështimit të kryengritjes së Delvinës për të mos rënë në duart e autoriteteve.
Të njëjtin fat do të kishin dhe ministrat e periudhës 1939-1944 që nuk i takon as Zogut dhe as Hoxhës.
Zef Kadarja (8 prill-12 prill 1939)
Maliq Bushati (prill-shtator 1941)
Mustafa Kruja (dhjetor 1941-janar 1943)
Eqrem Libohova (18-23 janar 1943)
Fiqiri Dine (janar-shkurt 1943/ korrik 1944-gusht 1944)
Mark Gjon Markaj (shkurt 1943-prill 1943)
Kolë Bibë Mirakaj (nëntor 1943-qershor 1944)
Ibrahim Biçaku (shtator 1944-tetor 1944).
I pari ministër i brendshëm pas pushtimit ishte Zef Kadarja që qëndroi në detyrë vetëm 4 ditë por Gjyqi Special e dënoi me vdekje.
Maliq Bushati u pushkatua. Mustafa Kruja, Eqrem Libohova, Xhaferr Deva dhe Fiqiri Dine u dënuan me vdekje në mungesë pasi ishin arratisur.
Kolë Bibë Mirakaj u pushkatua nga gjyqi special.
Mark Gjon Markaj u vra, kurse Ibrahim Bicaku u arrestua dhe vuajti 20 vite burg.
Ministrat e Brendshëm në kohën e komunizmit (1944-1991)
Haxhi Lleshi (tetor 1944-mars 1946) i vetmi që nuk u prek nga sistemi por u arrestua pas ardhjes së demokracisë si përgjegjës për krimet e komunizmit.
Koçi Xoxe (mars 1946-tetor 1948) i cilësuar për dy vite si numri 2 i regjimit Koçi Xoxe u pushkatua pa asnjë hezitim me urdhër të Enver Hoxhës.
Nesti Kerenxhi (tetor-nëntor 1948) u arrestua dhe vuajti disa vite burg.
Mehmet Shehu (nëntor 48-korrik 1954) ishte dhe kryeministër derisa në 1981 vrau veten, por dhe për këtë janë ngritur disa pikëpyetje pasi dyshohet se është eliminuar.
Kadri Hazbiu (1954-1979) më jetëgjati si ministër u pushkuatua.
Feçor Shehu (prill 1980-janar 1982) u pushkatua. Feçor Shehu ishte në rrethin familjar të Mehmet Shehut.
Hekuran Isai (korrik 1982-shkurt 1989) u arrestua pas rënies së komunizmit.
Simon Stefani (shkurt 1989-korrik 1990) u arrestua pas rënies së komunizmit.
I fundit përsa i përket sistemit komunist është Gramoz Ruçi në periudhën (shkurt-maj 1991) i vënë në akuzë për ngjarjen e 2 prillit në Shkodër, por që nuk u vërtetua asnjëherë./Alfapress.al