Qeveria e Sirisë ka miratuar qasjen e ndihmave humanitare në shtatë zona të rrethuara, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara. Autokolonat janë duke u përgatitur dhe do të nisen “sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë zëdhënësi Farhan Hak. Në mesin e zonave që do të marrin ndihmë, është edhe qyteti Madaja, ku njerëzit kanë vdekur nga uria. Javën e kaluar, fuqitë botërore janë pajtuar për nevojën e një armëpushimi të kufizuar në Siri, si dhe për përshpejtimin e dërgesave të ndihmës. Pas bisedimeve në Damask, të martën, i dërguari i OKB-së në Siri, Staffan de Mistura, ka thënë se Qeveria e Sirisë e ka për obligim të lejojë qasjen e ndihmave kudo që është e nevojshme. Konflikti civil në Siri ka nisur në vitin 2011. Mbi 260,000 njerëz janë vrarë në luftime dhe miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë.