Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Turqinë ku është pritur në takim nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp, Kurti u shpreh se aty ka nisur “një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.
Ai ka deklaruar se që nga poeti prishtinas i shekullit të 16-të, Mesilu e deri te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ka qenë qendër graviteti i popullit shqiptar.
“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe i popullit tonë.
Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, është shprehur kryeministri.
“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes, për zhvillimet në rajon e më gjerë. Jemi mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë, dhe mbështetjen e plotë të pakursyer në politikën e jashtme. E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen për anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës”, ka deklaruar Kurti./m.j