Tetë vjetori i pavarësisë do të shënohet me aktivitete të ndryshme, duke filluar nga parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës, e deri te dhurimi i gjakut. Parakalimi në shesh përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së. Po ashtu, në të njëjtën kohë, në orën 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, hap ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.
Duke filluar nga ora 11:00 bëhen homazhe para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, ndërkohë që vetëm një orë më pas, në orën 12:00 bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz. Në orën 12:00 do të ketë aktivitet kulturor. Ansambli SHOTA do të performojë në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe “Ibrahim Rugova”. Ndërkaq, në orën 20:00 Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq Baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan. Sa i përket bashkangjitjes së komunave në këto aktivitet, Q everia ka njoftuar se të gjitha komunat në orën 09:00 bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës. “Më datë 17 shkurt 2016, delegacionet e larta të institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Kabineti Qeveritar, do të bëjnë homazhe tek varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve. FSK do të angazhojë pjesëtarët e saj tek varrezat dhe komplekset e dëshmorëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.