“Piccolo Mare”, një projekt i përbashkët artistik mes Italisë dhe Shqipërisë, ka sjellë në Tiranë në Galerinë Harabel dhe Galerinë Fab një sërë punimesh nga studentë të të dy vendeve. Një delegacion i Institutit Italian të Kulturës dhe Akademisë së Arteve të Leçes, i cili ndodhet në kryeqytet për këtë ngjarje, u prit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Kemi një det që, deri dje na ndante – ishin kohë të vështira, Shqipëria ishte e izoluar – kurse sot i njëjti det na bashkon. Më pëlqeu shumë projekti juaj, me hapjen e Shqipërisë distanca mes nesh është shkurtuar. Por jo vetëm distanca fizike, është shkurtuar edhe distanca mes aktiviteteve dhe raporteve speciale që kemi me njëri-tjetrin. Jam shumë i lumtur që Akademia e Leçes, Akademia e Tiranës, Universiteti i Arteve dhe shumë aktivistë dhe faktorë lokalë të promovimit të artit, janë këtu për të shërbyer si një urë midis Leçes dhe Tiranës, ose Puglias dhe Shqipërisë,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se arti dhe kultura janë mënyra më e mirë për të bashkuar dy vende fqinje dhe këtë, më mirë se kushdo tjetër, e bëjnë të rinjtë.
“Do të doja shumë që, përveç artit dhe kulturës, të kemi mundësi të bashkëpunojmë edhe për sportin me shkollat, jo vetëm në nivelet e universitetit, por edhe gjimnazet. Djemtë dhe vajzat që rriten bashkë në të dyja anët e Adriatikut, kur rriten për të drejtuar vendet përkatëse, i bazojnë vendimmarrjet në shoqëritë e shëndetshme që kanë ngritur dikur. Mezi pres që të jetë një platformë fantastike për të ardhmen,” nënvizoi Veliaj.
“Falenderoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mikpritjen. Jemi vërtet të kënaqur për faktin se u ndjemë si në shtëpi, por mbi të gjitha, jemi të lumtur kur shohim gjithë këtë interes për rininë dhe artin. Sigurisht, në emër të Akademisë së Leçes, ky është vetëm fillimi i një sërë aktivitetesh të tjera, për të cilat jemi të sigurt se do të gjejmë dakordësinë dhe bashkëpunimin maksimal nga qyteti i Tiranës dhe nga kryebashkiaku, të cilin e falënderoj në emër të të gjithëve,” u shpreh përfaqësuesi i Akademisë së Leçes.
Ekspozita “Piccolo Mare” u nismua nga edicioni i XVI i Çmimit Kombëtar të Arteve, Artet Pamore, një konkurs kombëtar i studentëve të Akademive të Arteve të Bukura, organizuar nga Ministria italiane e Universitetit dhe Kërkimit, që u zhvillua në qytetin e Leçes. Kjo ekspozitë bën bashkë të gjitha veprat e seksioneve të ekspozuara në këtë edicion dhe punimet e studentëve të Universitetit të Arteve në Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 31 janar deri më 14 shkurt 2023 në galeritë Harabel dhe FAB.
/e.d