Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e tij nuk u ka dhënë licenca dy kompanive ruse të sanksionuara nga SHBA, për shfrytëzimin e fushave të naftës në Shqipëri.
Në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, Rama u shpreh se këto kompani kanë përfituar tendera pa garë nga qeveria e mëparshme.
“Bërja kujdes për influencën e mundshme ruse është një gjë dhe ndërhyrja në tender është me emër konkret, me çështje konkrete. Po të hyni pak në historinë e atyre kompanive që diskutohen, do shikoni fakte shumë të thjeshta. E para, janë dy kompani të cilat kanë marrë peshqesh pa garë, nga qeveria e mëparshme, fusha nafte.
E dyta, kjo qeveri, nuk ka dhënë kurrë asnjë fushë nafte pa garë ndërkombëtare. Edhe sot që flasim, nuk ka asnjë nga ato kompani që diskutohen, që punon në Shqipëri në fusha nafte”, theksoi ai.
/a.r