Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ata politikanë që akuzojnë për kulla në Tiranë janë vetë ndërtues pallatesh. Në një intervistë për Report TV, Veliaj u shpreh se është hipokrizi e jashtëzakonshme të kritikosh ndërtimet në Tiranë, kur vetë këta politikanë dhe analistë jetojnë në pallate.
“Politikanët, o janë vetë ndërtues, ose rrinë vet nëpër kulla të reja. Të thuash që je lider i opozitës, zyrën e ke në kullë, shtëpinë e ke në kullë, por për këta të tjerët s’duhet kulla, pra kulla jote është e mirë, kulla e tjetrit gabim, kjo s’shkon. Ai i partisë tjetër është vet ndërtues. Nuk e di si quhet emri, se ata i ndërrojnë emrat përditë, janë si këta që janë marrë me drogë dhe kur vijnë në Shqipëri ndërrojnë emrin. Por një herë LSI, një herë Parti e Lirisë, nesër një emër tjetër, ata janë vetë ndërtues. Pra, kur ndërton ti, Tirana është e mirë, kurse kur nuk ndërton ti, Tirana është e keqe. Këtu ka një hipokrizi te jashtëzakonshme dhe po të flasësh me këta analistët, s’kam parë ende analistin e parë që kritikon ndërtimet në Tiranë që të iki nga pallati, kulla e vet, dhe të shkojë të jetojë në një shtëpi qerpiçi dhe t’i thotë atij tiransit – “hajde ti te kulla ime se unë për kulturën që përfaqëson qerpiçi, pra balta me kashtë, do rri unë aty”. Asnjë prej tyre s’e bën këtë sakrificë”, deklaroi Veliaj.
/a.r