Kur kanë kaluar dy javë nga masakra e Elbasanit ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, grupi hetimor ka zbuluar disa lëvizje që dyshohet të jenë bërë nga vrasësit dy ditë para ngjarjes.
Një makinë, e ndryshme nga ajo që u përdor nga atentatorët, është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit duke lëvizur pranë zonës dy ditë me radhë, para ngjarjes.
Automjeti shihet se jo vetëm ka lëvizur pranë lokalit, por edhe është ndaluar pranë tij disa herë.
Hetuesit besojnë se këto janë veprime të vrasësve ose bashkëpunëtorëve të tyre të cilët kanë vëzhguar viktimat dhe kanë mbajtur nën monitorim të gjitha lëvizjet e tyre.
Burime nga grupi hetimor thonë se në lojë është futur edhe Shërbimi Informativ, të cilit i është kërkuar ndihmë për të gjetur të dhëna mbi autoveturën.
Hetimet vazhdojnë edhe mbi prova të tjera. Prokuroria e Elbasanit është në pritje të ekspertizës balistike të tre armëve të gjetura në vendin e ngjarjes nga policia shkencore. Është faktuar tashmë se është qëlluar me të tre armët, shkruan “Klan”.
65 plumba u derdhën mbi 11 personat që gjendeshin në këtë lokal nga tre atentatorë. Të vrarë mbetën Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe Eno Bedalli.