Një kopertinë-surprizë mund të quhet ajo e revistës së njohur The Economist të kësaj jave. Siç shihet revista është rreshtuar hapur pro legalizimit të kanabisit. Revista niset nga përdorimi mjekësor i kanabisit, duke u shprehur se që këtu duhet të nisë rruga drejt liberalizimit dhe drejt “mënyrës së drejtë të marrjes së drogave”. The Economist thotë se i bashkohet atyre që mendojnë se mënyra më e mirë për ta kufizuar përdorimin e kanabisit, është legalizimi i tij. Ajo e quna luftën kundër kanabisit “të padobishme” në shkallë botërore.
Sipas revistes, kanabisi ka një peshë ekonomike gjigande në ekonominë globale. Kjo substancë merr gjysmën e vlerës në tregun e drogave ilegale prej 300 miliard dollarësh. Sipas revistës, kanabisi përbën drogën e preferuar për 250 milion njerëz kudo në botë. Megjithatë, shprehet ajo, tregu i kanabisit është sot në duart e grupeve kriminale. “Të legalizosh kanabisin, do të thotë të heqësh nga duart e krimit të ardhurat më të mëdha që e mbajnë në jetë atë”, shkruan The Economist. Sipas saj, ky akt do të sillte të ardhura të mëdha në duart e shtetit dhe do të dobësonte fuqishem krimin e organizuar.