Në një lidhje Skype për Klan News, deputeti i PD-së Edi Paloka foli mbi zhvillimet e fundit të politikës në vend dhe ato që do të diskutohen sot në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie.
Paloka tha se çështja McGonigal është një skandal që e vërteton se kryeministri Edi Rama nuk e do opozitën.
Ai tha se në mbledhjen e sotme do të diskutohet për përjashtimin 10 ditë nga Kuvendi të disa deputetëve të Partisë Demokratike, kërkesën për komision hetimor apo aksionin opozitar për zgjidhjen e këtyre problematikave.
Pyetje: Çfarë përmban aksioni opozitar përveç protestave?
Edi Paloka: Ne do mblidhemi në Kryesi pikërisht për të diskutuar për këtë gjë. S’mund t’ju them gjëra që vendosen pasi mbaron mbledhja.
Pyetje: Ka një kërkesë për Komision Hetimor pikërisht për të hetuar lidhjet e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e FBI-së McGonigal por vetëm një ditë më parë Taulant Balla deklaroi se asnjë kërkesë me firmën e Berishës nuk do të diskutohet në Kuvend. Nga ana tjetër jeni të përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi. Ndaj dhe ne pyesim cili është aksion për t’u dhënë zgjidhje të gjitha këtyre problemeve.
Edi Paloka: Ato që thatë ju përshkruajnë një pjesë të situatës politike në vend ku parlamenti ka dalë jashtë çdo funksioni sepse Rama nuk do opozitë dhe skandali i fundit këtë ka vërtetuar. Rama përdor çdo mënyrë për ta eliminuar opozitën. Ne do të diskutojmë për rrugëdaljet nga kjo situatë sepse jemi në një vend pa demokraci dhe një regjim që praktikisht po shkon drejt diktaturës.
Pyetje: Çfarë do të thotë zgjidhjet të forta?
Edi Paloka: Interpelancat me kryeministrin janë një mundësi që i jepet atij për të mashtruar shqiptarët. Interpelancat me Ramën i kemi hequr fare. Një javë më parë përjashtohet një grup i madh deputetësh nga grupi i Sali Berishës, asnjë nga ata deputetë që Rama do të ketë në opozitë.
Pasi na përjashtoi ka dhe luksin për të ardhur në Parlament i qetë dhe të vazhdojë të mashtrojë shqiptarët për një çështje për të cilën duhet të japë llogari para drejtësisë. SPAK nuk kishte nevojë as për padi apo denoncime.
Ka bërë një padi Gaz Bardhi, edhe ajo duhet parë formalisht sepse pashë vetëm reagimin e SPAK-ut që thotë më sillni akt-padinë që është zyrtarisht në faqen e FBI. Pra kjo më duket një lojë e kësaj drejtësie, prandaj ne kërkuam një komision hetimor që të hetojë deri ku shkon ky skandal. Aq mundësi sa ka sepse e kemi parë shpesh që komisionet hetimore bllokohen nga Rama.
Pyetje: Besoni ende se PD ka përdorur vërtete para ruse për të lobuar në SHBA?
Edi Paloka: Unë s’kam besuar kurrë. Reagimi i Bashës erdhi vetëm pasi Berisha denoncoi faktin se bashkë me Ramën po ecte dhe Basha. Reagimin më mirë të mos e kishte bërë sepse nuk përmendet as Rama as të akuzuarit e tjerë. Unë personalisht po as PD zyrtare nuk ka akuzuar kurrë Lulzim Bashën se ka marrë para ruse përkundrazi ne kemi thënë se nëse një fakt i tillë është i vërtetë do të ishte e rëndë për PD jo vetëm për Bashën që ka përgjegjësi personale.
Unë kam qenë nënkryetar por askush nuk di gjë për këtë akt. Njolla sigurisht ngelet për PD dhe prandaj ne kemi ngritur komision brenda partisë për të hetuar financat dhe i kemi kërkuar Bashës të japë sqarime. Përgjegjësia e Bashës nuk mund të njollosë partinë Demokratike.
Ne i kërkuam sqarime sepse në këtë akt ka hyrë vetëm ai dhe asnjë nga ne s’është vënë në dijeni, pastaj a janë para ruse apo jo këtë e zbulon hetimi. Unë se kam besuar ndonjëherë se kanë hyrë para ruse në Partinë Demokratike. Komisioni ka pasur dhe ka një afat, duam të verifikojmë nëse paratë kanë dalë nga financat e PD-së dhe kjo në fakt bëhet e vështirë sepse shumë dokumente Lulzim Basha i ka marrë me vete.
/a.r