Bashkia e Tiranës do të fillojë, mëngjesin e nesërm, punimet për ndërtimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e Unazës së Vogël. Punimet do të zhvillohen në tre faza, ndërkohë që faza e parë e projektit, për të cilën punimet nisin nesër, përfshin segmentin nga Banka e Shqipërisë, vijon prapa Muzeut Kombëtar, deri te Ushtari i Panjohur.
Realizimi i objektit parashikon shembje dhe shpronësime, ndërtimin e segmentit të katërt të unazës së vogël të kryeqytetit, ndërtime të kanalizimeve si dhe zhvillim të infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore.
Me qëllim mbarëvajtjen e punimeve gjatë zbatimit të projektit të Unazës së Vogël dhe lehtësimin e trafikut, Bashkia e Tiranës njofton se qarkullimi i automjeteve në rrugën “Ded Gjo Luli”, do të bëhet i kufizuar, sipas planit lëvizës si më poshtë:
– Ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Ded Gjo Luli”.
Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet i drejtuar si më poshtë:
– Në kryqëzimin e bulevardit “Zog i I-rë” me rrugën “Ded Gjo Luli” drejtim i detyruar drejt;
– Në kryqëzimin e bulevardit “Urani Pano” me rrugën “Ded Gjo Luli” drejtim i detyruar djathtas dhe majtas;
– Në kryqëzimin e rrugës së “Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli”, drejtim i detyruar djathtas;
– Rruga “Abdi Toptani”, me një sens lëvizjeje me drejtim nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në rrugën “George W Bush” do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj;
– Rruga “Çamëria”, me një sens lëvizjeje me drejtim nga rruga “Ibrahim Rugova” deri në Sheshin “Skënderbej” do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj.
Gjithashtu, ndalohet parkimi i mjeteve në rrugën e Barrikadave, segmenti Luigj Gurakuqi deri në rrugën e “Dibrës”.
-Në rrugën e “Barrikadave” do të lihen të lira tre korsi lëvizjeje.
Qarkullimi dhe stacionimi i mjeteve të transportit urban qytetës do të jetë si më poshtë:
-Linja Institut – Qendër do të kryejë rrotullim përreth Sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet përpara Muzeut Kombëtar.
-Linja Laprakë – Qendër do të kryeje rrotullim përreth Sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet përpara Muzeut Kombëtar.
-Linja Kamëz – Qendër, City Park – Qendër dhe Vorë – Qendër do të kryejë rrotullim përreth Sheshit “Skënderbej” dhe do të stacionohet pas Pallatit te Kulturës.
-Stacioni ekzistues te rruga e “Barrikadave” do të zhvendoset te rruga “Luigj Gurakuqi”.
-Stacioni ekzistues te sheshi “Skënderbej” në krah të Bankës së Shqipërisë kalon të rruga e “Kavajës” përpara semaforit, ku segmenti në fjalë do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë.
-Mjetet që ushtrojnë aktivitetin e tyre me itenerar nga Kosova për në Tiranë dhe anasjelltas, si në linjë të rregullt ashtu dhe turistike, do të stacionohen te sheshi i pallatit të sportit “Asllan Rusi”.