Deputeti Ben Blushi e komenton si një ndryshim të vonuar atë të Ministrit Cani, duke theksuar se më shumë se emrat, problemi qëndron tek mënyra e qeverisjes. Socialisti shprehet se nuk është një çështje zëvendësimesh të një elefanti me një qenush, apo të një qeni me ketër, por tek metodat, pasi sipas tij makina e qeverisë po ecën shumë ngadalë.
“Financat kanë pasur një gropë shumë të madhe, mosrealizim të ardhurash, rritje papunësie, taksa, shumë pak politike për të varfrit, paketa fiskale ka qenë e dobët. Është një ndryshim i vonuar. Unë nuk kam arsye të komentoj për emrat, problemi nuk janë emrat por mënyra se si po qeveriset. Mënyra se si po qeveriset nuk është në drejtimin e duhur. Duhet të ndodhë ndryshimi i mënyrës së qeverisjes, që të jetë aleate me të varfrit, shtresën e mesme dhe interesin publik që kjo qeveri i ka humbur.
Nuk ka rëndësi, elefant me qenush, qen me lesh me një ketër…Unë do jem serioz dhe të flas për politika strategjike që mund të nxjerrin Shqipërinë nga ky depresion që po krijon emigracion zbrazje demografike. Nuk është problemi tek emrat por metodat. Nëse ministrat orientohen siç duhet, nëse i hipën në një makinë tjetër ecin më shpejt, por kjo makina e qeverisë është shumë e ngathët“, thotë ai.
Vendimi i kryeministrit Rama për shkarkimin e Canit, lëvizjen e Ahmetajt dhe emërimin në krye të Ekonomisë të Milva Ekonomit, sipas Blushit nuk është konsultuar me partinë.
“Ishim në mbledhje grupi por kjo nuk u tha, u fol për lodra apo jo“, tha ai.