Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për sulmin e armatosur në Jerusalemin Lindor, ku të paktën shtatë persona u vranë dhe dhjetë u plagosën kur një person hapi zjarr.
Përmes një postimi, ministria shprehet e tronditur dhe fakti që sulmi ndodhi në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit e shton edhe më shumë neverinë që ndiejmë ndaj akteve kriminale.
“Të tronditur nga sulmi i tmerrshëm terrorist në një sinagogë të #Jerusalemit . Fakti që sulmi ndodhi në #Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit vetëm sa shton neverinë që ndiejmë ndaj akteve kriminale si kjo. Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave dhe të plagosurve”, thuhet në postim.
Kujtojmë që sulmi thuhet se ka rritur frikën për një spirale dhune, një ditë pas bastisjes më vdekjeprurëse të Izraelit në Bregun Perëndimor në vitet e fundit. Policia izraelite e përshkroi sulmin në lagjen hebraike si një “incident terrorist”.
/e.d