Ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se kompania serbe MTS është regjistruar si kompani kosovare në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës. “Ajo kompani që është regjistruar në Kosovë, nuk mund të jetë kompani e një vendi tjetër”, ka thënë Tahiri në emisionin “Ekonomia me Erëzën” që transmetohet në KTV. Sipas Tahirit, regjistrimi i kompanive të huaja në Kosovë lejohet me ligj, siç ka ndodhur deri më tani me kompani ndërkombëtare, që degët e tyre i regjistruan në Kosovë. Ajo insistoi se MTS mund të quhet kosovare përkundër se kjo kompani me bazë në Beograd është në pronësi të shtetit serb, raporton Koha.net. MTS ka marrë lejen për të funksionuar si operator i veçantë për nevojat e komunitetit serb. Tahiri në emision foli edhe për kodin telefonik +383 ku premtoi se ai do t’i ndahet Kosovës më 1 mars të këtij viti. Kjo sipas saj do të bëhet edhe me ndihmën e Bashkimit Evropian.