Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thirri sot djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, si deklarues për “Çështjen Gërdeci”, ku nga shpërthimi në repartin e çmontimit të municioneve ushtarake, humbën jetën 26 persona afro 15 vjet më parë.
“Mendoj se dijeni nuk i ka dhënë asnjë ndihmë hetimit në fjalë, pasi nuk kam asnjë lidhje me këtë gjë. Kam përsëritur të gjitha ato që kam thënë publikisht. Kam ardhur në respektim të ligjit si çdo qytetar. Por më bën përshtypje fakti që e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë dhe me të njëjtën çështje para 15 vjetësh ka deklaruar se nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time”, tha Shkëlzen Berisha.
SPAK-u rihapi çështjen e Gërdecit 9 muaj më parë dhe i konfirmoi këto ditë ish ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzat e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.
Më 15 mars të vitit 2008, nga shpërthimi në repartin e çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec humbën jetën 26 persona, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën.
Prokuroria e Posaçme u vu në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit.
Zoti Mediu i hodhi poshtë akuzat e komunikuara dy javë më parë nga SPAK-u, duke theksuar se nuk i është ofruar mundësia për një proces të drejtë ligjor. Ai nuk u gjykua në procesin e hapur vite më parë, sepse rifitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e radhës, dhe prokuroria, e cila duhej të kërkonte sërish autorizimin e parlamentit, nuk bëri më një kërkesë të tillë./m.j