Partia Demokratike ka vijuar akuzat e saj në lidhje me qeverinë duke ritheksuar se po hedh poshtë dekriminalizimin, i cili është kërkesë e SHBA-ve. Në një deklaratë për shtyp, sekretari Enkelejd Alibeja tha se dy ditë pasi pati fatin të takohej me John Kerryn, ministrja Mimi Kodheli u shfaqe me Arben Ndoken, ish-deputetin e dorëhequr prej procesit të dekriminalizimit.
Deklarata e Alibeaj:
Mimi Kodheli pati rastin të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry, i cili theksoi si sukses ligjin e dekriminalizimit.
Dy ditë më pas, ministrja e Edi Ramës shfaqet me Arben Ndokën, që është objekt i dekriminalizimit, një nga arsyet pse kjo nisëm e opozitës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, u bë ligj. Ja ku është fotoja e ministres së mbrojtjes me ish-deputetin, që dekriminalizimi e largoi nga parlamenti, por jo nga Edi Rama i cili i ka besuar qeverisjen e Lezhës të dënuarit për prostitucion dhe rrëmbim personi. Jo vetëm kaq, por PS-ja e Lezhës tha dje se Ndoka është krenaria e saj. Dy ditë pas vizitës së Kerrit, Edi Rama vazhdon të sfidojë mesazhin e tij, kërkesën e Shteteve të Bashkuara të amerikës, të miqve ndërkombëtarë dhe kërkesën e qytetarëve të vendit për pastrimin e politikës nga krimi. Dy ditë më parë, Ndoka prezantoi prefektin e Lezhës. Dje ai u shfaq me Ministren e Mbrojtjes.
Pra është e qartë. Edi Rama ka zgjedhur Arben Ndokën, dhe jo sekretarin Kerri. Ka zgjedhur krimin, dhe jo partnerët ndërkombëtarë. Ka zgjedhur trafikantët, banditët, dhe jo qytetarët.