Policia e Burrelit ka arrestuar pronarin e një lokali, gjatë kontrollit në biznesin e të cilit u gjet një sasi kokaine, kanabis, si dhe pajisje që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike.
Në pranga ka përfunduar edhe një klient i lokalit, të cilit iu gjet një sasi kanabisi dhe një dorezë metalike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 2 të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në lokal dhe në afërsi të shkollave.
“Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. K., në qytetin e Burrelit, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe pajisje të ndryshme që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale.
Në ambientet e lokalit u konstatua edhe shtetasi E. K., të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një përforcues grushti (dorezë metalike), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- K., 40 vjeç, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
- K., 30 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, thuhet në njoftimin e policisë.