Klan News raporton se DEA amerikane ka zbarkuar në Shqipëri dhe po zhvillon një mega-operacion në disa qytete. Operacioni ka lidhje me sasinë e kokainës që u kap disa javë më parë në Savona të Italisë.
Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë më herët në pranga 4 shqiptarë. Siç shkruan Klan News, në përgjime kanë dalë emra të shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës.
Dyshohet se organizatorët e trafikut ishin shqiptarë.
Siç ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj operacioni në fjalë është shtrirë në disa qytete si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe në Vlorë.
Në përgjimet e autoriteteve italiane dhe të DEA-s amerikane ka emra të tjerë, për të cilët kanë nisur kontrollet për kapjen e tyre dhe t’u dorëzohen autoriteteve të huaja.
Arrestimi i shqiptarëve
Katër shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk dihet, u vunë në pranga më 2 Janar. Ata u kapën me 350 kilogramë kokainë asokohe. Shqiptarët qëndronin në një hotel të zonës dhe policia ndërhyri sapo tërhoqën ngarkesën nga porti.
Pasi Guardia Di Finanzia arrestoi 4 shqiptarët u mësua se në port do të mbërrinte edhe një sasi tjetër kokaine. Kështu që 16 ditë më vonë (18 Janar) po në portin e Savonës u sekuestruan 1.3 tonë kokainë. Sasia e lëndës narkotike ishte nisur nga Brazili më 30 Dhjetor të vitit që lamë pas. Kokaina ishte fshehur në një vend të përshtatur në pjesën e motorëve të anijes dhe ishte ndarë në 741 copa të mbështjella me 26 pako me celofan.
Mediat italiane dhanë pak detaje në lidhje me këtë ngjarje, por shkruan se bëhet fjalë për një rrjet transnacional të trafikut të kokainës, që operon në Italinë qendrore-jugore me eksponentë kriminalë shqiptarë.
/a.r