I ftuar në studion e emisionit “Open”, ish-prokurori Beci ka folur në lidhje me audio-përgjimet e fundit të publikuara nga komunikimet e gardës gjatë ditës së 21 janarit të vitit 2011, teksa ka deklaruar se nga ajo çka shfaqet deri më tani nga regjistrimet nuk ka shkelje të ligjit për përdorimin e armëve nga Garda e Republikës.
Beçi: Radiot e telekomunikimit të gardës funksionojnë në një operacion që do duhet të jetë i regjistruar. Është një regjistrim rutinë dhe unë mendoj se nuk mund të jetë një përgjim. Është një komunikim që mund të jetë regjistruar. Sa i përket mënyrës së administrimit të transkriptit duhet t’i referohemi regjistrimit. Gjykata duhet të dëgjojë palët për mënyrën e marrjes së provës për verifikimin e provës dhe për ta futur në kronologjinë e një prove të shqyrtuar apo jo.
Nëse i referohemi në mënyrë formale komunikimeve të përcaktuara nga garda duhet të kuptojmë se nuk ka ndonjë shkelje të ligjit për përdorimin e armëve të zjarrit deri më tani, nëse do ketë komunikime të tjera do duhet të harmonizohen me fakte të tjera. Është një situatë shumë komplekse, nisur vetëm nga burimi i provës, duhet të dimë nëse do përcaktohet si anonime apo jo, pasi anonimet nuk mund të merren në konsideratë nga prokuroria dhe gjykata./m.j