Presidenti i Serbisë është shprehur i gatshëm të japë dorëheqjen, sipas mediave serbe.
Sipas Pink, Vuçiç kishte lënë një takim këtë mbrëmje me bashkëpunëtorët në partinë që ai drejton, PPS.
Ai ka informuar kryesinë e partisë për presionet që po i bën Perëndimi në lidhje me Kosovën dhe menjëherë pas kësaj është larguar nga selia e partisë, raporton Pink.
“Nëse dikush tjetër mund të bëjë më mirë në lidhje me këtë çështje, unë jam gati të largohem”, është shprehur presidenti serb.
Kryetari i Bordit Ekzekutiv të PPS, Darko Glishiç tha për TV Pink se nëse presidenti dorëheqjen, ky është fundi i kësaj partie.
“Është skenari më i errët dhe më i keq për Serbinë që as nuk mund ta imagjinoj. Kjo e sotmja ka qenë një mbrëmje shumë e vështirë”, ka thënë ai për Pink.
Zhvillimet në Kosovë vijnë pak ditë pasi një pesëshe diplomatike, e përbërë nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kishin me vete edhe këshilltarët e presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz e kryeministres së Italisë Giorgia Meloni takuan presidentin Vuçiç.
Vizita kishte për qëllim të shtynte Kosovën e Serbinë drejt një marrëveshjeje mbi kornizat e planit të BE-së ose siç njihej plani franko – gjerman që Lajçak tha se kishte pritur më shumë mirëkuptim./m.j