21 janari është akti më i rëndë i ndodhur ndonjëherë kur shteti u vu përballë qytetarëve të vet me armë dhe 4 qytetarë të pafajshëm u pushkatuan pa gjyq në bulevard. Kjo ishte deklarata e gazetarit Lorenc Vangjeli sot në ‘Kontrast’ në Report Tv, teksa komentonte kallëzimin e Ministrit të Drejtësisë në SPAK. Vangjeli tha se 4 viktimat meritojnë prehje dhe ngjarja kërkon përgjigje.
“Fati ka bashkuar edhe një herë eprorin me vartësin, ish-kryeministrin me ish ministrin, atin dhe birin dhe 2 njerëzit që sot duket në plan të parë i ndan një armiqësi e thellë. Sot ata gjenden në një dokument zyrtar, të akuzuar të dy për vrasje. Ka një perceptim të gjerë që 21 janari dhe katër viktimat nuk ka gjetur as përgjigje dhe as prehje. Pati 4 qytetarë të pafajshëm të pushkatuar pa gjyq në bulevard. Ajo ngjarje ishte akti më i rëndë i ndodhur ndonjëherë kur shteti u vendos përballë qytetarëve të tij.
As fajësia nuk ka gjetur ndëshkim dhe as fajtorët nuk kanë pasur emra të përveçëm. Është shumë e çuditshëm të theksohet se Lulzim Basha këtë çështje e ka trajtuar në heshtje, duke mos u deklaruar asnjëherë. E përmendi këtë ngjarje vetëm pas 8 janarit të vitit të kaluar kur kujtoi se në të njëjtën mënyrë Berisha ishte sjellë edhe ndaj demonstruesve. Besoj se është hapur kapaku i ‘pandorës’.
Nuk ka parashkrim për kështu lloj krimesh. Këtu nuk bëhet fjalë për të gjetur përgjegjësinë në zinxhirin komandues nga ajo që urdhëroi deri te ai fatkeqe që shkrepi këmbëzën por bëhet fjalë për një zinxhir krimesh. Është ndoshta një rast unikal kur njëri prej protagonistëve vetëakuzohet në mënyrë të vazhdueshme hap pas hapi, duke marrë përsipër autorësinë e saj. Janë një seri veprimesh që përbëjnë diçka edhe më të rëndë se akuza që ka bërë sot ministri i Drejtësisë”, tha Lorenc Vangjeli./m.j