Nga Alba Malltezi
Meqë Shteti nuk përgjigjet për ta, meqë djemtë e vajzat e drejtësisë nuk mundën as pas 12 vitesh të identifikojnë dërguesit dhe ekzekutorët e 4 protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, atëherë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika kanë një përgjigje për Sali Berishën sot, nga bota e përtejme! Pikërisht sot, me 23 janar 2023, kur Sali Berisha pa asnjë problem cilëson se të katërt u vranë në një përpjekje “të një grushti shteti”.
Ja fjalët e tyre:
“Ne u vramë jashtë kangjellave të kryeministrisë zoti Sali Berisha, ish-kryeministër! Asnjë prej nesh nuk u fut brenda gardhit, asnjë prej nesh nuk sulmoi qeverinë, sepse ne e respektojmë Shtetin! Për atë Shtet ishim në protestë, për atë Shtet që po keqpërdorohej. Ne na këputën plumbat e Gardës së Republikës, ndërsa protesta ishte drejt fundit. Ne shprehëm kundërshtimin tonë për korrupsionin dhe do të ktheheshim secili në shtëpi, pranë familjes. Ne nuk ishim puçistë, nëse kishte vërtetë puçistë aty, ju atyre nuk iu prekët as qimen e flokut, jo më t’i qëllonit. Plumbat e Gardës na morën jetën, neve, njerëzve të thjeshtë të Shqipërisë. E dhatë ju urdhërin? U thatë ju të qëllonin në trupat tanë? E dimë, është e vështirë sot të kuptojmë se kush qe zëri i zi që mori vendimin që plumbat vdekjeprurës të kapnin kë të mundnin, por besuam se shkenca, pasioni për të vërtetën, fjala e dhënë për drejtësinë do të bënin të pamundurën të bashkonin grimcat e mbetura nga vendngjarja e pastruar me kujdes dhe zhdukja e fakteve e të tregonin atë që e besojnë të gjithë: Ne të katër, zoti ish-kryeministër nuk ishim puçistë. Ne të katër ishim në pika të ndryshme të Bulevardit. As nuk e njihnim njëri-tjetrin, as nuk kishim ndonjë plan puçist kundër jush. Sot jemi të katër nën dhe’, pa një shpjegim, pa një arsye. Përse ne? Përse Garda, me njerëz të stërvitur dhe të specializuar na goditi pikërisht ne? Sot të dëgjuam qartë kur përsërite se do të bëhej puç shteti atë ditë, e ke thënë shpesh. Si të të besojmë kur që atë ditë the se u vramë nga njëri-tjetri apo nxorrë dy mjekë ta mbronin këtë tezë? Si të të besojmë përsëri kur zhduke të gjithë filmimet e kamerave të kryeministrisë? Si të të besojmë kur përndoqët gazetarin që u plagos dhe për fat të mirë është sot gjallë, ndryshe nga ne? Jo vetëm atë, Fatos Mahmutajn, por edhe familjen e tij që të mos thonte të vërtetën. Por ju keni të drejtë të thoni çfarë të doni se Drejtësia, djemtë e vajzat tona më të mirë, nuk po na sqarojnë, na lanë kështu, të trishtuar edhe këtu ku jemi. Ndoshta nuk na e kanë ngenë, ndoshta janë të zënë me të tjera gjëra, por ne jemi këtu, vazhdojmë të pyesim: Përse Garda e Republikës që ju ruante ju zoti Berisha, na vrau ne? Jashtë kangjellave të kryeministrisë, atë ditë të vranët të 21 janarit 2011?”.
Sigurisht që fjalët e mësipërme nuk mund të jenë të 4 të ekzekutuarve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, por ata të katërt flasin me trupat e tyre, sepse të gjitha kufomat flasin, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për t’ua mbyllur gojën.