Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjala e diskutimeve në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama i pranishëm gjatë mbledhjes mësohet të jetë shprehur se për Reformën në Drejtësi “nuk ka më kohë për të humbur”, raporton Panorama.
Kreu i socialistëve ka theksuar se ky proces duhet të përmbyllet brenda muajit mars, ashtu siç deklaroi dhe në prani të Sekretarit të Shtetit të SHBAve, John Kerry. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar socialist, radha e raportimeve nuk ishte e ministrave, por e kreut të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj.
Raportimi i Xhafës ka zgjatur për rreth një orë, duke i shpjeguar Grupit Parlamentar për hapat e ndërmarra për finalizimin e reformës së shumë diskutuar. Para kolegëve, mësohet se Xhafaj, veç sqarimeve teknike për reformën, ka thënë se sistemi i Drejtësisë po përballet me një nivel të lartë korrupsioni, ndaj dhe ndërhyrjet duhet të jenë sa më të forta për “ta fituar betejën dhe për të kthyer besimin e humbur të qytetarëve”.
Mësohet gjithashtu se Fatmir Xhafaj e ka quajtur reformimin e sistemit si një emergjencë kombëtare. Kreu i Komisionit të Posaçëm ka vënë theksin në pritje të rekomandimeve paraprake pas 20 shkurtit të Komisionit të Venecias, për çështje për të cilat nuk është gjetur akordi me opozitën. Po ashtu, sipas socialistit, rekomandimet finale nga Venecia pritet të dorëzohen më 12 mars.
Burime të Panoramës nga mbledhja e Grupit të Partisë Socialiste bënë të ditur se pas prezantimit të gjatë të ecurisë së Reformës në Drejtësi, ka ndërhyrë dhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.
Si një nga juristët e Partisë Socialiste, Gjiknuri mësohet se ka vendosur theksin në hartimin e një strategjie, pasi, sipas tij, opinioni i Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi mund të mos jetë në të gjitha pikat shterues.
Për këtë arsye, ministri i Energjetikës ka theksuar se për të shmangur cenimin e thelbit të reformës nga opozita, duhet të hartohet një plan për pikat që mund të bëhet kompromis me Partinë Demokratike dhe me cilat çështje Partia Socialiste nuk duhet të heqë dorë.
Sipas Gjiknurit, vetëm në këtë mënyrë do të mund ta zhveshur opozitën nga çdo lloj argumenti kundër paketës së ndryshimeve kushtetuese. Nga ana e tij, Xhafaj është shprehur se komisioni i reformës do të presë Komisionin e Venecias dhe mbi bazë të opinionit të tij do të negociojë me PD-në.
Panorama