Ka shkuar në 8 numri i të arrestuarve në vijim të operacionit “Perimetri” të zhvilluar në muajt korrik-gusht 2022 në Korçë. Ditën e sotme janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, Haxhi Mero 33 vjeç, dhe Enio Xhevat, 23 vjeç, pasi akuzohen se kanë transportuar 19 emigrantë të paligjshëm.
Ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 automjete dhe 15 telefona celularë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kanë vijuar punën me veprime të thelluara hetimore të zhvilluara për një periudhë 6-mujore, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në muajt korrik-gusht 2022, si rezultat i të cilave janë finalizuar operacionet policore “Perimetri 183; 185; 187” dhe u vunë në prangat e Policisë, 6 shtetas, të cilët u kapën duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm.
Falë këtyre veprimeve, u bë e mundur dokumentimi me fakte ligjore dhe vënia para përgjegjësisë penale, e dy personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Konkretisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim për shtetasit:
Haxhi Mero 33 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq; Enio Xhevat, 23 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Ll. Z., 25 vjeç, banues në Berat dhe S. L., 21 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore, kundrejt fitimit 300-500 euro për person, kanë ndihmuar emigrantë të paligjshëm, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me qëllim transportimin e tyre, drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 automjete dhe 15 telefona celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të përsonave të tjerë të përfshirë.