Juventusit i janë hequr 15 pikë për sezonin aktual nga një gjykatë italiane e futbollit që po heton marrëveshjet e transferimeve, bëri me dije të premten Federata Kombëtare e Futbollit (FIGC).
Me 20 ndeshje të mbetura për të luajtur në këtë sezon, Juve ishte i treti në Serinë A, 10 pikë larg Napolit të vendit të parë. Zbritja e pikëve i dërgon në mes të tabelës, jashtë vendeve për ligat evropiane.
Vendimi ishte më i ashpër se një zbritje prej nëntë pikësh që prokuroria kishte kërkuar më herët të premten gjatë një seance që shqyrtonte mënyrën se si Juventus, klubi më i suksesshëm i Italisë, dhe një numër skuadrash të tjera realizuan marrëveshjet e shkëmbimit të lojtarëve.
Gjykata e futbollit vendosi gjithashtu që ish-Presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli t’i ndalohet të mbajë poste në futbollin italian për 24 muaj. Gjykata vendosi gjithashtu një ndalim prej 30 muajsh për ish-drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paratici, tani drejtor menaxhues i futbollit në klubin anglez të Premier Ligës Tottenham Hotspur. Juventus e ka mohuar akuzën dhe deklaroi se financat e tyre ishte në përputhje me standardet e industrisë.
/s.f