Disa forca dhe mjete të Forcave të Armatosura janë vendosur në Kukës për të qenë në gatishmëri dhe për të ndërhyrë në Kosovë nëse do të ketë përkeqësim të situatës nga përmbytjet.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka ndarë dhe një video në Facebook.
“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, shkruan Peleshi.
Kryeministri Edi Rama ka postuar në faqen e vet në Facebook pamje nga mjetet e rënda të ushtrisë shqiptare që i drejtohen Kosovës.
“Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, shprehet Rama.
/s.f