Amnistia fiskale do të bëhet me asistencën e ndërkombëtarëve. Në përpjekje për të mos hasur më rezistencë nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe apo organizmat e tjerë të huaj, që i druhen shfrytëzimit të ligjit për pastrim parash, qeveria ka deklaruar se po rishikon draftin e amnistisë, sipas rekomandimeve të partnerëve.
I pyetur nëse qeveria është konsultuar me Bankën e Shqipërisë për draftin e ri, guvernatori Sejko përsëriti qëndrimin se nisma do të ketë rol të rëndësishëm në formalizimin e ekonomisë.
Rreziku i pastrimit të parave është shqetësimi kryesor i shprehur, jo vetëm nga partnerët e huaj, por edhe grupet shqiptare të interesit. Ndaj kryeprokurori Olsian Çela deklaroi se parandalimi dhe zbulimi i kësaj vepre, do të marrë vëmendjen maksimale të institucionit që ai drejton.
Komentet e zyrtarëve të lartë u bënë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje trepalëshe midis Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme për koordinimin në luftën ndaj falsifikimit të kartëmonedhave. Shifrat e falsifikimeve kanë rënë ndjeshëm përgjatë viteve të fundit.
/a.r