Gjykata e Posaçme nisi gjykimin e 56-vjeçarit Ibrahim El Salih Lekica, i arrestuar disa muaj më parë me kërkesë të SPAK, pasi bënte thirrje pro ISIS dhe propagandë ndaj xhihadit në rrjetet sociale.
Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “nxitje dhe thirrje publike, apo propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, ndërkohë në seancën e zhvilluar këtë të martë kërkoi gjykim të shkurtuar nga Gjykata.
Gjatë marrjes në pyetje, ai është shprehur i penduar për postimet e bëra në rrjetet e tij sociale dhe nuk i ka konsideruar ato si propagandë apo për të nxitur akte terroriste.
Gjykata e Posaçme do të vendosë të premten nese do e pranojë apo jo gjykimin e shkurtuar për 56-vjeçarin dhe më pas do të nisë gjykimin e tij në themel.
Për shkak të postimeve radikale në rrjetet sociale, gjatë vitit 2022, një tjetër person ra në pranga me kërkesë të SPAK për nxitje dhe propagandë në kryerjen e veprimeve terroriste./m.j