Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor pritet të mblidhen më 22 shkurt në Londër, ku do të diskutojnë rreth investimeve dhe mundësive që ata ofrojnë për të bërë biznes në vendet e tyre.
Takimi i organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, i dyti pas atij të shkurtit 2014, do të bashkojë në një konferencë kryeministrat e Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.
Qëllimi i takimit është nxitja e investimeve të huaja direkte në rajon dhe projekteve të përbashkëta ndërkufitare. Konferenca në fjalë do të hapet me fjalën e presidentit të BERZH-it, Shuma Çakrabarti dhe ministrit të Jashtëm britanik, Filip Hamond, për të vijuar më pas me panelin e krerëve të qeverive përkatëse. Tre panele diskutimi do t’u dedikohen zhvillimit të transportit, energjisë së rinovueshme dhe axhendës së privatizimeve në Ballkanin Perëndimor.
Përveç anëtarëve të kabineteve qeveritare në takim pritet të marrin pjesë edhe sipërmarrës e investitorë. Gjatë konferencës do të prezantohet nisja e një projekti të Berzh-it, një platformë e re rajonale për kuotimin e titujve të bursave të Bullgarisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Sipas një njoftimi për shtyp të BERZH-it, edhe Bursa sllovene dhe ajo serbe kanë shprehur interesin për t’ju bashkuar kësaj nisme, e cila synon integrimin rajonal të tregjeve të kapitalit.
BERZH-i është ndër investitorët kryesorë në rajonin e Ballkanit. Banka ka investuar vitin e kaluar afër 1 miliard euro në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, infrastrukturës apo bujqësisë së vendeve të Ballkanit.