Nga Dritan Hila
Opozita tashmë është në fazën kur deputetëve të saj, më shpejt iu mësohet emri kur ikin se kur hyjnë në parlament. Nuk është çudi që një ditë të mbesin me opozitën që dikur e tallnin.
Loja e kungulleshkave ku Berisha i thotë Alibeajt se kam 20 deputetë; jo 20 por 15 që ia kthen ai, e pastaj anasjelltas, po bëhet refreni i ditës. Falsifikimi i firmave si në rastin e Açkës dhe Nallbanit është dëshmi e banalitetit. Lufta me rrangallën e komunizmit nga ca ish-komunistë province apo pinjollë të tyre që inatin e kanë me atë kohë pse nuk bënë karrierë, por jo se marrin vesh nga loja e demokracisë, është dëshmi e molës ideologjike.
Berisha më shumë se udhëheqës partie ngjan me gjobaxhi në kauzat që kap. Përmend oligarkët por nuk thotë emrat; merret me Alabarin por nuk përmend Portin e Vlorës. Të gjitha këto nuk e ngrenë as në nivelin e Gaz Bardhit që ka kurajo të përmendi emra. Berishën nuk e ka zënë demenca por çuditërisht e lë kujtesa për ca emra të caktuar.
Tashmë PD e cila lindi si front opozitar po shkon në shtratin e vet. Berisha ndiqet nga mishela e karrieristëve, krahinorëve dhe nostalgjikëve; Basha ka shumicën e ish të përndjekurve që më së fundi nuk detyrohen të vegjetojnë me Berishën; dhe krahun e intelektualëve të dikurshëm që tani i përfaqëson Gjekmarkaj dhe Açka.
A do ia dalin të formojnë parti dhe a do puqen ndonjëherë (pas largimit të Berishës), mbetet për t’u parë. Por zakonisht kur dikush krijon parti, sado e vogël qoftë ajo, ndihet rehat të jetë i pari në fshat se i dyti në qytet.
PD siç ka qenë nuk do të jetë më kurrë. Do të duhet kohë derisa të formohet një opozitë e re. Por ky është rezultat i gjellës që gatoi Berisha në 30 vjet. Dhe pastaj kur je i shpartalluar nxjerr teori se Ramën e ndihmojnë të rrijë në pushtet tërmetet dhe pandemitë. E patën këtë justifikim edhe para dy vjetësh dhe e besonin, megjithëse në Evropë ranë të gjitha qeveritë për shkak të krizës që shkaktoi pandemia. Në statistikë ky lloj fenomeni kur përmbys faktorët vetëm që të nxjerrësh rezultatin që dëshiron, njihet si Paradoksi i Simpsonit. Dhe fillon e kalon në absurd me pandemi e tërmete që ndihmojnë Ramën. Në opozitë paradoksi qenka bërë sindromë./