Nga Sokol Balla/ Vizita e John Kerry ka një vlerë të vecantë. Këtej e tutje gënjeshtrat dhe lojërat politike do marrin një vlerë relative. Shpesh herë ambasadorët e huaj gjenden përballë situatave të mashtrimeve direkte dhe nuk arrijnë kurrë të kuptojnë sesi politikanët shqiptarë arrijnë të fshihen pas shprehjes “S’kam çfarë t’i bëj atij“.
Më kujtohet për shembull Arvizu. Sesi në epokën pas tetë majit, në zgjedhjet për Tiranën në vitin 2011, shkoi në zyrën e Kreut të KQZ dhe i tha:
“Nxirr rezultatin paraprak, pastaj procesi le të vazhdojë“.
Po, ju përgjigjg kreu i KQZ.
Arvizu i shkretë doli dhe shkoi në zyrën e Kryeministrit të kohës. Por sa doli, i thanë që KQZ kishte marrë vendimin për hapjen e kutive.
“Si ka mundësi“, më thoshte. “Mu përgjigj, skam çfarë t’i bëj atij“.
Pastaj për shembull erdhën armët kimike. Prapë Arvizu: “Përse Kryeministri nuk publikon letrën e Obamës?”. Ambasadori nuk arrinte të kuptonte përse nuk bëheshin gjërat transparente. Përse politikanët nuk mbanin fjalën. Por pas pak ditësh u trondit edhe më shumë. Kur erdhi në Top Story dhe tha se Basha i pati dhënë premtimin se do ta mbështeste, u shokua kur Kryetari i PD doli më pas dhe e përgënjeshtroi.
Raste si këto ka shumë. Besoj edhe Donald Lu i ka kaluar këto përvoja këto muaj. Më të fundit besoj me Byronë e Hetimit, kur me tetë shkurt i thuhej Tahirit se ishte rënë dakort me PD për draftin final, por pasdite i dilte se nuk ishte kështu dhe se “edhe Berisha nuk ishte informuar” apo jo?
Sot e kësaj dite PD nuk ka një përgjigje të sinqertë për këtë çështje. Dhe kështu mashtrohen ambasadorët, por për më keq, opinioni publik.
Ndaj nuk u befasova që John Kerry në më shumë se një rast në fjalën e tij përmendi ambasadorin. Përmendi edhe faktin se ai flet në emër të Presidentit Obama. Nuk u befasova me gjuhën e tij të drejtpërdrejtë sa i përket angazhimit të palëve për kalimin e reformës zgjedhore. Efekti më i madh i kësaj vizite është se tanimë nuk mund të gënjehet më kollaj.
Mund të gënjesh ambasadorin por jo Shtetet e Bashkuara.
Kjo tashmë është një rrugë një drejtimëshe. Ndryshe Shqipëria mund të shkojë në rrugën e shteteve të rëna. Dhe ky, nuk është drejtimi i duhur. Tani këtë e kanë të qartë të gjithë. Sidomos ata që gënjejnë.