Shqiptarët nuk e kanë shpikur futbollin dhe as nuk kanë shkëlqyer në të, megjithatë disa gjëra që sot mahnitin botën kur i bëjnë yjet e mëdhenj i kanë provuar me kohë.
Leo Messi dhe Luis Suarez “trullosën” portierin e Celta Vigos me penalltinë me dy pasime, e cila përfundoi me golin e uruguajanit, në garë me Cristiano Ronaldon për titullin “pichichi”, shënuesi më i mirë i kampionatit.
U hapën arkivat televizive, të cilat treguan se ishte Johan Cruyff, në periudhën e dytë si lojtar te Ajax, ai që e kishte bërë i pari, ndërkohë që e kishte provuar pa sukses edhe Thierry Henry tek Arsenali.
Por, dikush tjetër e ka provuar me sukses para tyre. Janë shkodranët Roland Luçi e Luan Vukatana që e kanë provuar në një ndeshje të Vllaznisë kundër Yllit të Kuq të Pogradecit, për Kupën e Shqipërisë, më 1981.
Këtë e ka kuajtuar vetë Luçi, i cili thotë se e kishte vendosur këtë gjë në mënyrë të fshehtë bashkë me Vukatanën, pa i treguar askujt në skuadër.
“Këtë mënyrë të gjuajtjes së penalltisë e kemi realizuar 35 vjet më parë unë e Luan Vukatana”, thotë Luçi, duke shprehur keqardhjen që shqiptarët ndoshta nuk do të kenë mundësi ta shohin. “Me siguri që arkivat e varfra të TVSH-së nuk e kanë të ruajtur një moment të tillë, se një copë film përdorej atë kohë kushedi sa herë derisa bëhej i papërdorshëm”.
Megjithatë, tifozët në stadium e kanë parë dhe mund të mburren me origjinalitetin e një veprimi, ndonëse duartrokitjet pa fund për “shpikjen gjeniale” shkojnë tek ata që sot mahnitin gjithë botën.
Penalltia e Mujo Targajt
Por nuk janë vetëm Luçi e Vukatana që kanë bërë një veprim si ky që sot bën xhiron e botës.
30 vjet më parë, në një tjetër ndeshje të Kupës së Republikës, shumë më të fortë, midis Dinamos e Partizanit, ishte kapiteni i bluve, Muhedin Targaj, që shënonte një penallti spektakolare. Jo si kjo me dy pasime, por me një gjuajtje të harkuar në mes të portës, si ajo që tifozët e sotëm ia kujtojnë më së shumti Andrea Pirlos, në finalet e Euro 2012 kundër Anglisë, apo Francesco Tottit, në Euro 2000, kundër Holandës. Në fakt, i pari dhe origjinali ishte Antonin Panenka i Çekosllovakisë, në një tjetër europian, madje në finale. Më 1976, Çekosllovakia mundte me penallti në Beograd Gjermaninë Perëndimore, ku më së shumti kujtohen dy gjuajtje, ajo e Ulli Hoeness, mbi traun e portës, dhe “luga” e Panenkës.
E qartë, Targaj nuk ka qenë i pari, por të paktën duhet të ketë “ekskluzivitetin” në Shqipëri sa herë që flitet për “cuchiao” ala Totti apo Pirlo. Ish-mbrojtësi i Dinamos, gjuajtës i penalltive edhe kur luante me kombëtaren, shokoi një tjetër legjendë të futbollit shqiptar, portierin Perlat Musta, një nga më të mirët në pritjen e goditjeve nga pika e bardhë, madje edhe realizues i tyre. Atë ditë nuk i eci me Targajn, i cili ia harkoi butësisht topin, megjithatë në fund ai që qeshi ishte pikërisht portierit i Partizanit, i cili e çoi skuadrën e kuqe në raundin e tjetër, pasi priti dy të tjera.
JavaNews/D. Ikonomi