Fundi i vitit 2022 u duk si finalizimi i bashkimit të PD por 2023 i riktheu në pikën zero. Sherri u rihap me përjashtimin nga Alibeaj të katër deputetëve nga grupi parlamentar.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në Ora News me gazetarin Everes Dedaj thotë se energjitë duhet të kanalizohen për kandidatë të përbashkët.
Mediu: Kishte një premisë pozitive me atë që organizoi Mziu. Në atë takim kam parë një raport sa njerëzor dhe politik. Pas këtij takimi diskutuam si mund të procedojmë për të arritur te një kandidati konsensual. Është më emergjente se çdo gjë tjetër. Dalja e opozitës me më shumë se një kandidat krijon kosto të cilat mund të çojnë në humbje. Humbjet e bashkive që ne pretendojmë se do të fitohen krijojnë po ashtu një premisë negative për zgjedhjet parlamentare.
Një bashki e fituar krijon shanse më të mira për të fituar më shumë mandate deputetësh. Qëndrimi i njëanshëm krijon probleme, nuk zgjidh probleme. Duhet konsensus, në radhë të parë rreth kandidaturave. Primaret kanë qenë brenda PD, kandidatët duhet të kapë ndjesinë e një spektri shumë më të gjerë. E dyta, dalja e PD me logon e vet. PD duhet të dalë vetëm me listën e këshilltarëve, PD vetë, PL vetë.
Sipas tij grupet në PD duhet të shohin përtej vetes.
Mediu: Ka arritur në një lloj gjuhe urrejtje dhe moskuptimi dhe mungesë etike që nuk duhet të ndodhë brenda një shtëpie. Pushteti duhet të jetë sekondar, shteti duhet të jetë primar.
Zgjidhje do të ishte edhe një këshill të urtësh, për të cilin i ka gati emrat.
Mediu: Sapo më dhatë një ide për zgjidhje. Nëse Berisha në dakordësi me pjesën tjetër do të zgjidhte disa njerëz të urtë për të zgjidhur këtë çështje, unë do të jepja dhe disa emra. Në këtë proces të paqtimit me rregulla normale duhet të jetë zoti Mustafaj, Bode, Tafaj, Rexhep Uka.
U duhet dhënë autoriteti për të negociuar në një platformë që mund të çojë në një zgjidhje. PD nuk është as kjo që është sot, as ajo që ka qenë dje, është një histori 30 vjeçare. Ka nevojë për një grup njerëzish të urtë që të angazhohen në këtë proces.Po të ulemi pa paragjykim pa thënë ky është i shitur, ky është i blerë, mund të bashkërendojnë qëndrimet që i vlejnë shoqërisë shqiptare.
Aleat historik i PD, Mediu tha se përkundër këtij debati nuk ka pasur asnjëherë pikëpyetje për marrëdhënien me këtë parti.
Mediu: Jo, nuk kam qenë asnjëherë në pikëpyetje. Partia Demokratike dhe Partia Republikane pothuajse janë bërë një. Qëndrimi veç ka qenë edhe për interesa elektorale, kanë qenë si dy enë komunikuese. Ekzistenca e partive politike nuk është vetëm te idetë por edhe te suksesi elektoral.
Mediu gjithashtu vë theksin te forcimi i marrëdhënieve të PD me PPE dhe IDU.
Mediu: Është shumë e rëndësishme që PD në raportin që ka me PPE dhe IDU, të ndërtojë një narrativë të qenësishme dhe ta kthejë në partner si në proceset elektorale dhe në proceset politike dhe të bashkimit. Asnjë nuk do të bëhet pjesë e sherrit.
/s.f