79 vite jetë ku letërsia ka zënë një vend të rëndësishëm. Ndonëse pas rënies së komunizmit vendosi të jetojë me lirinë e shkrimtarit, Fatos Kongoli, që ka ngritur dolli me miq e kolegë të tij këtë datëlindje, na tregon se letërsinë e sheh edhe si një lloj përgjegjësie apo përndjekjeje.
“Letërsia është diçka shumë serioze. Gjithmonë, vuajtja ime më e madhe ka qenë nëse di të shkruaj apo jo? Ia vlen të shkruaj, apo jo? Sa herë që ulesha në tryezën e punës, kisha përshtypjen që pas krahëve më rrinte dikush. Ai dikush ishte lexuesi. E kam pasur tmerrësisht frikë lexuesin, më dukej sikur tallej pas çdo fraze që shkruaja. Por, jam shumë i kënaqur me ta dhe jam ndjerë gjithmonë i vlerësuar nga lexuesit e mi”.
E braktisi matematicienin për të na dhuruar vepra si “Lëkura e qenit” apo “Iluzione në sirtar”. Po sot, a ka Kongoli në sirtarin e tij një vepër të re që pritet të marrë jetë?
“Po. Nuk ka shkrimtar që heq dorë vullnetarisht”, tha Kongoli.
Fatos Kongoli numëron rreth 17 vepra të përkthyera edhe në gjuhë të tjera të botës, ndërsa është fitues i çmimit ndërkombëtar Balkanika, Penda e Artë, shkrimtari më i mirë i vitit, në 2006, nga Shoqata e Botuesve shqiptarë, dhe 10 vite më vonë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.
Romani “Gënjeshtarë të vegjël” e shpalli atë autor të vitit 2019 në dy panaire ndërkombëtare libri, ndërsa romani i tij i fundit është “Misteri i mjellmës”.
/A.R