Avokati Dorian Matlija deklaroi se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka 10 ditë kohë për të bërë një kërkesë që të merret në pyetje për çështjen e Gërdecit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Matlija u shpreh se gjatë këtyre 10 ditëve, palët mund të kërkojnë edhe hetime shtesë.
“Dje, familja Durdaj, Feruzan dhe Zamir Durdaj janë thirrur nga Prokuroria e Posaçme për të njoftuar për përfundimin e hetimeve, është i njëjti njoftim që i është bërë të pandehurit një ditë më herët. Ky është qëndrimi i prokurorisë, sepse është një akuzë që është artikuluar që në shkurt të vitit 2009. Akuza, zotit Mediu i është komunikuar që në vitin 2009. Është komunikuar përfundimi i hetimeve, nuk është komunikuar akuza tani, është komunikuar që në 2009-n.
Para se të shkojë çështja në gjykatë, i duhen dhënë të gjitha mundësitë të pandehurit dhe palëve, që të shprehen, të bëjnë kërkesa, të bëjnë memorie, të kërkojnë hetime shtesë, të pyetet i pandehuri. Ky është momenti që i njihen këto të drejta. Ka 10 ditë kohë që të paraqesë këto kërkesa dhe do vlerësohen nga prokuroria. Nëse do të kërkojë të pyetet, prokuroria do duhet ta pyesë dhe nëse ka kërkesa të tjera do të vlerësohen. Nuk kemi ende një kërkesë për në gjykatë”, theksoi ai.
Fatmir Mediu është thirrur ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Ish-ministri i Mbrojtjes është marrë i pandehur me akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ për tragjedinë e Gërdecit.
Mediu deklaroi se akuza është e njëjta që i është bërë edhe në kohën kur ishte ministër. Ai tha se ka kërkuar që të hetohet në mënyrë të drejtë, ndërsa e cilësoi akuzën për shpërdorim detyre të pabazë dhe të motivuar politikisht.
/a.r