Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë Christiane Hohmann zhvilloi vizitën e saj të parë për këtë vit në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Vizita vjen disa ditë pas emërimit të Gentiana Sulës, kryetare. Në këtë vizitë Ambasadorja Hohmann shoqërohej edhe nga Frédérique Hanotier, zyrtare përgjegjëse për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, në delegacionin e BE-së Tiranë.
Delegacioni dhe kreu i saj u prit nga kryetarja dhe anëtarët e Autoritetit, ku u njohën nga afër me punën e institucionit, sfidat e tashme e të ardhme, dhe me hapësirat e reja ku zhvillon veprimtarinë Autoriteti.
Bashkëpunimi mes AIDSSH dhe BE në projektin ‘Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit; të zhdukurit në komunizëm”, zbatuar me ICMP, si dhe finalizimin e produkteve si udhërrëfyesi për drejtën e familjarëve në inicimin e praktikave për qartësimin e të fatit të familjarit të të zhdukurit, raportimin e lokacionit etj.’ ishte në qendër të bisedimeve.
Në kuadër të kësaj vizite u diskutua edhe lidhur me përfundimet e Progres- Raport e BE-së për vitin 2021, për zbatimin e të drejtave themelore në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur në komunizëm në të cilin theksohet se “zgjidhja e rasteve ka mbetur e ulët pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve dhe vullnetit politik për të krijuar një mekanizëm efikas të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje.”.
Kryetarja informoi se në drejtim të kësaj çështje Autoriteti ka punuar dhe është në pritje të miratimit të një VKM-je e cila rregullon procedurat për identifikimin dhe rikuperimin e personave të zhdukur. Ky akt normativ është vendimtar dhe përcakton rolin e secilës palë në këtë proces, në lidhje me urdhrin e zhvarrosjes për zonat e dyshuara ku mund të gjenden mbetjet mortore të personave të zhdukur, apo të gjetur. Në këtë kuadër, Autoriteti po bashkëpunon me zyrën e OSBE-së, BE-në dhe Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) për ta shtyrë procesin përpara.
Hohmann u njoh nga afër me ekspozitën “Sigurimi në fjalët e veta”, çelur në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, e vendosur tashmë në ambientet e Autoritetit, në të cilën është shqyrtimi i historikëve të 19 degëve të ish-Sigurimit të Shtetit në vend, dokumente të prodhuara prej tij në vitet 1973-1980. Dokumentet e shqyrtuara paraqesin interes, sepse Sigurimi merr përsipër autorësinë e disa ngjarjeve, duke dhënë njëherësh këndvështrimin e vet mbi emrat e përfshirë të kundërshtarëve politikë.
Ekspozita, synon të nxisë më tej punën për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të pagjeturve, duke sjellë rastet e evidentuara, duke pasur parasysh që – përmes emrave të ndryshëm, të njohur apo të panjohur, – të përmbledhë metodat terrorizuese të Sigurimit të Shtetit ndër vite, që ndihmojnë për të qartësuar fatin e këtyre personave.
Gjergj Marku, përfaqësues i shoqatave të të përndjekurve politik në Autoritet, e njohu ambasadoren me hartën e vendeve të ekzekutimit, si dhe kërkesat e qindra familjarëve që janë në kërkim të të afërmeve të tyre të zhdukur.
Në total janë 203 kërkesa të regjistruar pranë Autoritetit që nga viti 2017- 2022, për qartësimin e fatit të të zhdukurve gjatë regjimit komunist. Ndërkohë Arqipeshkivia Shkodër e Kishës Katolike ka kërkuar bashkëpunimin për gjetjen e 38 katolikëve të dënuar dhe pushkatuar gjatë regjimit komunist. Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë në Shkodër, na ka vënë në dispozicion një listë me 353 të dënuar apo pushkatuar në qytetin e Shkodrës, si dhe vendet e ekzekutimit dhe të cilat dyshohen si vendvarrime për të dënuarve shpeshherë edhe pa gjyq, në Malësinë e Madhe, në Pukë, në Fushë Arrëz dhe Vau i Dejës.
Vizita vijoi në arkivin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku delegacioni u njoh me proceset e punës, mënyrën e ruajtjes, tipologjinë e dosjeve, si dhe me dokumente konkrete.
Diskutimet mbi synimet e Autoritetit dhe të ardhmen vijuan më tej në sallën e mbledhjeve, ku u bë një paraqitje të punës së institucionit gjatë mandatit të parë, sa i takon informimit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe krijimit të strukturës së posaçme për të zhdukurit në komunizëm.
Vëmendje e veçantë iu kushtua punës së bërë nga institucioni në bashkëpunim me partnerë, organizata dhe shoqata, mbi kampin e Tepelenës, atë të Maliqit, si dhe të zhdukurit. Theksi u vu tek vijimësia e projekteve të nisura, sa i takon vendeve të kujtesës, kërkimit shkencor dhe të zhdukurve në komunizëm. Mbledhja e dokumenteve arkivorë të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe pasurimi i mëtejshëm dhe krijimi i një infrastrukturë moderne në arkiv mbetet ende një sfidë për Autoritetin.
Në përfundim, kryetarja dhe anëtarët e Autoritetit i kërkuan mbështetje kreut të Delegacionit të BE-së për punën e Autoritetit. Kreu i Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Christiane Hohmann, në fjalën e saj shprehu mbështetjen e për mandatin e Autoritetit dhe vlerësoi punën e deritanishme.
“Mbi të gjitha faleminderit për këtë vizitë dhe që më treguat të gjitha aspektet e Institucionit tuaj. Kjo për arsye se, ashtu siç e kisha kuptuar edhe vetë në fakt, ju jeni shtylla kurrizore e historisë moderne të Shqipërisë se nuk po flasim për një histori që ka ndodhur 200-300 vjet më parë, por për një histori që është e kohëve të fundit. E gjithë puna që keni bërë është jashtëzakonisht e çmueshme për të tashmen dhe të ardhmen. E gjithë kjo punë qe fokusohet në të shkuarën fare të afërt kontribuon në kujtesën kolektive të kombit. Prandaj mendoj se ju duhet të jeni shumë krenarë”,– tha në fjalën e saj, kreu i Delegacionit të BE-së,
Ambasadorja Christiane Hohmann la këtë shënimin në librin e përshtypjeve të Autoritetit: “Faleminderit për punën tuaj kaq thelbësore për të qartësuar memorien e e një kohe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Evropa do të vazhdojë të mbështesë punën tuaj të admirueshme.”
Vullneti politik në angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, prokurori, polici, mjekësi ligjore në procesin e rikuperimit dhe identifikimit e trupave, qasja e institucioneve, organizatave dhe shoqërisë, ndërveprimi mes tyre, po ashtu rritja e aksesit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave në informim, është e rëndësishme të reflektohet edhe në synimet e trupës së re drejtuese, e cila ka përgjegjësinë e trajtimit të së shkuarës me profesionalizëm, integritet dhe duke vënë në qendër qytetarin.
Për Autoritetin, sfida e mandati i dytë kanë të bëjnë me kthimin e tij në institucion kujtese, që përveçse zbërthen makinerinë e shtypjes, sjell edhe zërin e qëndrimin e viktimës, duke krijuar kuadrin e plotë historik të diktaturës. Njëherësh, kthimi një qendër e vizitueshme, me mundësi leximi e njohjeje me dokumentacionin, po ashtu, një instrument që ndihmon për zbërthimin e së shkuarës dhe hetimin e fatit të viktimave të pagjetura.
Mbi të gjitha faleminderit për këtë vizitë dhe që më treguat të gjitha aspektet e Institucionit tuaj. Kjo për arsye se ashtu siç e kisha kuptuar edhe vetë në fakt ju jeni zemra e ndërtimit të ndërgjegjes së historisë së kaluar të Shqipërisë, historisë moderne të Shqipërisë se nuk po flasim për një histori që ka ndodhur 200-300 vjet më parë,por për një histori që është e kohëve të fundit.
Askush nuk mund t’i nënvleftësoj vlerat tuaja. Shpresoj që ju të jeni krenarë që punoni këtu. Nuk është e lehtë e di, por kjo është edhe arsyeja që BE ju mbështet ju, ashtu siç ju kemi mbështetur në vite. Nuk mund të lejojmë që kjo pjesë e historisë të kalojë pa u njohur, sepse ajo është pjesë e memories sonë.
/s.f