Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin Antonio Leka, i cili pasditen e së hënës u kap me një sasi të madhe armatimi pranë një servisi në Ishull-Shëngjin. Ndaj tij janë ngritur akuzat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”.
Në deklarimet e tij para hetuesve pas arrestimit, 36-vjeçari deklaroi se kishte si qëllim vrasjen e disa politikaneve në Lezhë, duke i lidhur veprimet e tij në emër të patriotizmit, por pa treguar se ku i kishte marrë armët dhe sendet e tjera të kundraligjshme.
Ai rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal për tentative vrasje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa jetonte me nenën e tij në katin e fundit të një pallati poshtë tregut të qytetit të Lezhës. Antonio Leka ka në pronësi disa dyqane e apartamente, të cilat i ka përfituar nga dhënia e truallit për ndërtimin e këtij pallati në Lezhë. Një fqinj, pa dashur të identifikohet foli për Report tv, duke treguar se Antonio jeton vetëm me nënën dhe nuk është problematik në lagje.
Kujtojmë se ka qenë vëllai i Antonios, Nik Leka, që ka njoftuar policinë e Lezhës, për prezencën e tij të armatosur, i cili kishte parë të vëllain të veshur ushtarak dhe me një jelek anti-plumb.
Policia lokale e vlerësoi me shpejtësi këtë informacion, duke rrethuar Antonio Lekën dhe ndaluar në aksin rrugor Milot-Lezhë, pranë ishull Shëngjinit. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
/e.d