Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar një tjetër seancë maratonë prej më shumë se 4 orësh në ngarkim të Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Seanca sot nisi me përplasje, pasi ish-efektivi i RENEA-s, i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, kërkoi që të dilnin jashtë kamerat e mediave.
Në seancën e kësaj të mërkurë u shqyrtuan pamjet filmike që Prokuroria kishte siguruar mbi ngjarjen, ndërsa Paplekaj ka këmbëngulur që të ribëhet akti i ekspertimit. Kjo pasi në seancën e mëparshme, avokati i tij, Mirash Martini kërkoi riekspertimin e vendit të ngjarjes pasi sipas tij nuk përputhet distanca e përcaktuar mes qitësit dhe viktimës. Por kërkesa e avokatit u hodh poshtë me pretendimin se kjo çështje të hetohet nga ekspert të pavarur.
Gjyqi i radhës është caktuar për më 22 janar, pritet të nisë marrja në pyetje e dëshmitarëve. Është një listë e gjatë me 68 emra që prokuroria i ka thirrur për të dëshmuar ne gjyq, e ku mungojnë edhe emrat e politikaneve të dy kaheve politike, por nuk është Gazment Bardhi, i cili ishte shumë pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Si ndodhi vrasja?
Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri./m.j