Gjeografia tregtare e një marketi lagjeje në Tiranë: Nga vijnë fruta-perimet që i bëjnë konkurrencë produkteve “Made in Albania”
Në një market lagjeje, sado i vogël të jetë ai, konsumatorët përballen me produkte që nuk janë vendase dhe që qëndrojnë përkrah prodhimeve “Made in Albania”.
Edhe pse jemi një vend bujqësor dhe eksportet përgjatë vitit 2022 arritën në mbi 55 miliardë lekë, sërish tregu shqiptar i konsumit ka hapësirë të mjaftueshme për produkte të importuara, të cilat fatkeqësisht në shumë raste, sipas tregtarëve, dominojnë kërkesën për shkak të cilësisë më të mirë.
Kështu, nëse do të bëni pazarin e zakonshëm të ditës dhe do të pyesni për origjinën e produkteve, shitësit zakonisht ju japin dy alternativa, si për shembull, portokall vendi apo portokall grek, i cili vjen nga Kreta. Mollë Korçe apo mollë greke, të cilat gjejnë hapësirë të konsiderueshme në markete.
Ftua vendi, apo ftua i cili vjen nga Turqia. Kivi dhe patëllxhani importohen nga Greqia, domatet vijnë kryesisht nga Italia, edhe po ashtu edhe rrushi. Ndërkohë që sipas tregtarëve, ende ka prodhim vendas sezonal, siç janë kryesisht sallatrat, karrotat, lakrat, të cilat dominojnë tregun dhe nuk merren nga importi.
Sipas shitësve, fundi i Janarit është momenti kur ka më shumë mungesë të prodhimit vendas, duke i dhënë kështu avantazh produkteve që vijnë nga jashtë. Kjo ndodh kryesisht për shkak se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit sezonal eksportohet dhe arsyeja e dytë janë kapacitetet e pamjaftueshme frigoriferike për të ruajtur produkte që prodhohen në sezonin e verës dhe për ti tregtuar ato gjatë dimrit./ SCAN
/e.d