Ish kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli e konsideron si një një akt procedurial vendimin e Enkelejd Alibeajt për përjashtimin e deputetëve Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Agron Shehu dhe Belind Këlliçi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Nëpërmjet një lidhje ‘skype’ për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Kadilli tha se Alibeaj ashtu si Gazment Bardhi dhe ish kryedemokrati Lulzim Basha, merrte vendime proceduriale dhe jo politike.
“Vendimet e grupit të Alibeajt do jenë thjesht proceduriale. Sepse ka një sëmundje grupimi i tij, që nga Bardhi e tek Basha të cilët i trajtojnë çështjet politike si të jenë avokatë. Ndërkohë politika kërkon qëndrime dhe akte politike jo proceduriale sepse nuk mjafton. Unë nuk jam dakord me vendimet proceduriale”- u shpreh Kadilli.
Sa i takon situatës në Partinë Demokratike, Kadilli tha se asnjë prej palëve nuk po ofronte alternativë për demokratët dhe qytetarët shqiptarë përveçse po luftonin për të marrë lidershipin e partisë.
“Fakti që PD vazhdon të jetë e ndarë, dhe disa persona fshihen pas veprimesh të tërthorta ku mungon baza morale dhe politike, demokratëve u japin vetëm tym dhe rrëmujë. Nuk shoh unë dhe nuk besoj se sheh dritë asnjë tjetër demokrat. Nuk e ka fajin askush përveç lidershipit sepse beteja mes tyre është kush do drejtojë opozitën dhe jo kush mund mazhorancën. Çfarë të duhet foltorja apo vula nëse nuk ke një aksion politik opozitar? Si njëra palë sip ala tjetër nuk po japin përgjigjie as për demokratët as për opozitarët”- shtoi ish kandidati për kreun e Partisë Demokratike.
Kadilli tha se ringritja e Partisë Demokratike mund të arrihej vetëm me largimin e lidershipit të vjetër ku sipas tij përfshihet ish kryeministri Sali Berisha dhe nga ana tjetër Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha, për të cilin u shpreh se pavarësisht se nuk ishte shfaqur publikisht kishte të bënte me vendimet që po merreshin nga grupimi i Alibeajt.
/e.d