Nga Mero Baze
Ka një histeri të pashembullt në rrjetet sociale, por dhe në figura kritike të opinionit publik, për t’u vënë në radhë si avokatë të pastrueses Rozeta. Gati gati nuk po gjej askënd të jetë kundër saj. Dhe kanë një alibi të madhe në anën e tyre. Shuma e paqartë anomalisht e lartë e një zyrtareje publike, që ishte një prej viktimave të saj, ndez fantazinë për korrupsionin zyrtar.
Dhe këtu ka menjëherë një keqpërdorim të shumave të vjedhura nga pastruesja, duke ja ngarkuar zyrtares gjithë bilancin.
Por hetimet që po thellohen dëshmojnë se në atë shumë ka dhe persona të tjerë të grabitur, që nuk janë zyrtarë publik. Madje një prej të grabiturve është një analist i kriminalistikës, që ka folur ndërkohë dhe për Rozetën dhe ka treguar se si i joshte klientët. Në fillim e mendova si fantazi të tij, por pastaj kuptova që e ka nga përvoja si viktimë e saj.
Grabitja e njerëzve të pasur nga pastrueset nuk është një histori e re. Aq më tepër në një vend si Shqipëria. Diferenca është se shumica e zyrtarëve që grabiten nuk dëshmojnë.
Flamur Noka u grabit 8 vite më parë, pati dhe deklaratë të policisë për kapjen e hajdutëve, që pranonte se kishin vjedhur vilën e tij në plazh në Lalëz, por ai mohoi dhe vilën nga frika.
Histori të ngjashme mund të ketë pasur dhe më parë dhe më pas. Kjo është mënyra se si një i korruptuar vuan ndëshkimin, por ky nuk është rasti që shoqëria të shpërthejë në duartrokitje për “Rozetën”.
Duartrokitjet dëshmojnë se shoqëria jonë është në depresion nga pandëshkueshmëria, dhe është gati të dorëzohet tek një hajdut i radhës, mjafton që dikush të ndjehet i dëmtuar.
Në rastin konkret, të gjithë janë gati të bëjnë heroinë një pastruese hajdute, vetëm se mes viktimave është edhe një zyrtare, ndërkohë që lista pasohet nga një pedagog, biznesmenë e raste të tjera të pakonfirmuara ende. Por Rozeta po bëhet heroinë vetëm e vetëm se e para në listën e të dëmtuarve u shfaq një zyrtare publike, e cila ka denoncuar vet rastin.
Shoqëria ngjan e dorëzuar dhe po bën heroinë një hajdute shtëpish, ngaqë nuk bën dot drejtësi të ndëshkojë të korruptuarit.
Të dorëzuar tek një hajdute apo hajdutë nga pafuqia për të pasur një standard moral kundër vjedhjes dhe hajdutëve, shoqëria po bie në dashuri me hajdutët e hajdutëve, që në fakt e kanë nisur këtë profesion duke vjedhur njerëz të ndershëm.
Në këtë rast duket se debati për Rozetën imiton debatin politik të shoqërisë së sotme. Nëse lexon sot portalet apo rrjetet sociale, duket se shpresa në të ardhmen është tek një hajdute si Rozeta, ngaqë të gjithë tani pranojnë se ka qenë hajdute e aftë.
Ashtu si në politikë shpresa është tek Meta e Berisha, ngaqë njihen si “hajdutë të zotë”, të certifikuar dhe ndërkombtarisht, tek të cilët “shpresojnë” se do mundin “hajdutët” e qeverisë.