Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur një manual për të gjithë personat që janë apo duan të bëhen pjesë e përfitimit të skemës së pensioneve. Manuali është i ndarë në pjesën e kontributeve për të punësuarit, punëdhënësit e vetëpunësuar dhe sigurimin vullnetar e pjesën e përfitimit për secilën kategori, ndërkohë si një mundësi shtesë për të përfituar pension pleqëria është edhe skema e sigurimit vullnetar. Kjo mundësi u ofrohet kryesisht emigrantëve, të cilët me 35 vjet e 4 muaj sigurim, përfitojnë pension të plotë pleqërie, ndërsa me 15 vjet sigurim, ata përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie. Manuali sqaron se pagesa mujore e kontributit është rritur në masën 4752 lekë nga 4110 lekë që ishte, por për rastet e parapagesave, këta qytetarë do të dalin të fituar nga pensioni vullnetar. Sipas ndryshimeve që ka hartuar Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në qoftë se individët parapaguajnë në fillim të periudhave, do të ketë zbritje 6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore, 3 për qind mbi shumën për një pagesë 6-mujore dhe 1.5 për qind mbi shumën për pagesën 3-mujore. Një tjetër avantazh për ta, është dhe fakti që mund të sigurohen edhe për vitet e kaluara, edhe pa qenë të siguruar më parë. Manuali zbardh se për ata që punojnë në profesionet e lira, kanë të drejtë të paguajnë deri në 5-fish të kontributit minimal për të përfituar pension të lartë. Sipas ISSH-së, një kategori relativisht e madhe personash është në kushtet e emigracionit ilegal si dhe e regjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respektive si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve me këto vende. Edhe kjo kategori është e interesuar të përfshihet në skemë. Një tjetër kategori që mund të përfitojnë nga skema është ajo e punonjësve sezonalë ose dhe part-time në emigracion, që është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore.
Kategoritë
Përfitojnë nga skema e sigurimit vullnetar personat, të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ende nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Përfitojnë, po ashtu edhe ata që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Në radhën e përfituesve përfshihen edhe individët që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
Fushat
Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues i pensionit bazë të pleqërisë; pensionit të pjesshëm të pleqërisë; pensionit të reduktuar të pleqërisë; pensionit të invaliditetit dhe pensionit të pjesshëm të invaliditetit. 2. Personi i siguruar për vitin korrent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, pasi plotëson kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues, sipas llogaritjeve, i pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë i dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë. Me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme: I. Sigurim vullnetar për vitin korrent. II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara. III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura. IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
Vitet e punës
Manuali llogarit se kur vitet e punës, për të cilat janë paguar kontributet, ato njihen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ndërsa në rastet kur nuk janë të shënuara në librezë, duhet të merret një vërtetim nga kompania. Për të moshuarit që janë në prag pensioni dhe që kanë punuar në kompani të cilat janë mbyllur, duhet të kenë një dokument ku të vërtetojnë pretendimin e tyre, pasi në të kundërt rrezikohet të mos njihet nga ISSH. Për vitet e punës në ishkooperativat bujqësore, nuk nevojitet vërtetim, pasi ato janë hedhur në bazën e të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe merren parasysh për llogaritjen e pensionit. Pagat para vitit 1994 shumëzohet me koficientin 8.59, pasi në atë kohë kanë qenë shumë të ulëta dhe duke u shumëzuar me këtë koeficient, paga që merret parasysh për pension është minimumi 22 mijë lekë.
Si llogaritet shtesa nga vitet e punës
Një person që ka 36 vite punë, 4 muaj më shumë se ç’përcakton ligji i sigurimeve shoqërore për vitin 2016, do të marrë shtesë në pensionin e tij prej 2 për qind. Pra nëse do të përfitonte 16 mijë lekë pension, me 35 vite e 8 muaj punë, me 36 vite kontribute do të marrin 16 350 lekë. Për një person që ka një vit më shumë se ç’kërkon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, atëherë merret Për një pension 16 mijë lekë, përfitohet shtesë 1 mijë lekë të tjera. Janë përfitime që jep skema e re e pensioneve. Por nëse keni një vit më pak punë, atëherë nga pensioni do t’ju zbritet një shumë e caktuar. Në rastet kur keni 34 vite e 8 muaj punë, një vit më pak se ç’kërkohet, atëherë pensioni ju ulet me rreth 5 për qind. Kjo për shkak se ligji parashikon se “Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar”, duke shtuar edhe pensionin social prej 6750 lekë.
Rritja e madhe në vitin 2019
Në tre vitet e ardhshme parashikohen rritje minimale pensionesh e pagash, ndërkohë që të njëjtin fat do kenë edhe shpenzimet kapitale, të cilat do të vazhdojnë të mbeten të ulëta, me përjashtim të vitit zgjedhor 2017. Këshilli i Ministrave ka publikuar këtë muaj kuadrin ekonomik e fiskal për periudhën 2017-2019, me parashikimet afatmesme të të ardhurave e shpenzimeve. Nga tabelat bie në sy se në zërin politika të reja pensionesh qeveria nuk ka parashikuar asnjë rritje për vitet 2017-2018. Vetëm për vitin 2019 është parashikuar për këtë qëllim një fond prej 1.4 miliardë lekësh, afërisht 12 milionë dollarë. Ndërkohë që modeste janë parashikimet edhe për politikat e reja për pagat e administratës publike. Në vitin 2017 është parashikuar për këtë qëllim një fond prej 1 miliardë lekësh, i cili në vitin 2018 do të rritet në 1.5 miliardë lekë dhe 2 miliardë lekë në 2019. Ajo që bie në sy është rritja e dukshme me rreth 4 miliardë lekë e shpenzimeve kapitale në vitin zgjedhor 2017, për t’u rritur me vetëm 1 miliardë në vitin 2018. Rritje modeste është parashikuar edhe kur vjen fjala te investimet publike, të cilat do të rriten me vetëm 2 miliardë lekë, nuk do shënojnë thuajse asnjë rritje në 2018, dhe do shtohen me 5 miliardë lekë në 2019.