Merr një tjetër rrjedhë hetimi për vjedhjen e 120 mijë Eurove në shtëpinë e ish-shefes së kabnietit të ministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi.
Krahas hetimeve të policisë, për origjinën e parave të gjetura në shtëpinë e pastrueses së saj, Rozeta Dobi dhe djalit të saj, Havierit është përfshirë edhe Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit po kryen verifikime lidhur burimin e të ardhurave të ish-zyrtares.
Dyshimet janë ngritur pas gjetjes së një tjetër sasie parash këtë të dielë në banesën e nënë e bir.
Blutë e kryeqytetit u rikthyen për kontroll pas informacioneve të marra dhe në tubin e aspirimit gjetën 404 800 Euro, 8500 Dollarë dhe aksesorë floriri.
Policia ende nuk ka zbuluar nëse edhe këto para u vodhën në banesën e Alda Klosit, apo në shtëpi të tjera ku Rozeta Dobi kishte punuar si pastruese.
Historia nisi pas denoncimit të bërë më 15 Dhjetor nga Alda Klosi për vjedhjen e banesës. 2 të arrestuarit u mbajtën nën vëzhgim dhe u zbulua se ata kishin hyrë në banesë nëpërmjet një çelësi të kopjuar.
Ata kishin krijuar rrëmujë në banesë me qëllim që vjedhja të dukej si grabitje, megjithatë provat e administruara nga policia kanë çuar në identifikimin e tyre.
Policia sekuestroi edhe 3 automjete që dyshohet se u blenë me paratë e grabitura. Përpara hetuesve, 2 të arrestuarit kanë pranuar krimin.
/s.f