Protesta 2 ditore e vajzave dhe grave të fasonerisë “Toni Oil” në Bilisht, të cilat u rebeluan kundër punëdhënësit të tyre për shkak se ai shkarkoi nga puna kryesindikalisten e punëtoreve të fasonerisë Mirjeta Mulla, ka detyruar kompaninë të tërhiqet nga vendimmarrja dhe të pranojë nënshkrimin e një kontrate kolektive pune.
Kjo është një nga fitoret e vogla të organizimit sindikal në vend ku 120 punonjëse pas protestës detyruan kompaninë të tërhiqej dhe siguruan të drejta që u ishin mohuar.
“Ne u ngritëm dhe kundërshtuam vendimin për pushimin e padrejtë nga puna të Mirjetës, e cila është jo vetëm shoqe dhe kolege pune, por kryetarja e sindikatës, e cila mbron të drejtat tona. Ishte vendim padrejtë dhe na vjen mirë që vendosmëria jonë do të sjellë përmirësime për kushtet tona të punës”- tha A. C, një prej grave të fasonerisë.
Për Mirjeta Mullën, kryetare e sindikatës në fasoneri procesi ishte i vështirë dhe kishte risqe, por që tashmë po jep frytet e tij. “Është një arritje e Sindikatës të njihet e drejta e organizimit sindikal dhe aktualisht mund të them që kam në dorë kontratën kolektive të cilën deri në fund të këtij muaji do të kemi arritur ta nënshkruajmë”, tha Mulla.
Ajo tha se i kishte marrë parasysh pasojat, por tani të gjitha do të riktheheshin në punë. “Doja mbi të gjitha që të njihej kjo e drejtë, edhe pse isha e ndërgjegjshme që për mua mund të kishte penalitete”, tha ajo.
Fatjon Shega, administratori i fasonerisë e cila ka pasur edhe më herët probleme me punëtorët, pranoi shkeljet, por tha se ato ishin gabime. Ai pretendoi se gabime kishte pasur edhe nga ana e punonjësve.
“Më vjen keq që situata agravoi dhe vendimi ynë për të filluar procedurën e largimit të Mirjeta Mullës ishte i gabuar. Është një proces që të dyja palët kanë gabimet e tyre, por e rëndësishme është që të zgjidhen dhe që ne të kemi mbarëvajtjen e punës.” – tha Shega. Ai pretendoi se kontrata kolektive do të zgjidhte problemet dhe të dyja palët duhet të përmbushin detyrimet e tyre.
Pas protestës së punonjësve fasoneria “Toni Oil”, e cila operon prej 18 vitesh, u përball me Inspektoriatin e Punës, i cili vendosi si masë administrative pezullimin pa afat, për shkak se fillimi i procedurës për largimin nga puna të përfaqësueses së sindikatës. Inspektorati vlerësoi se masa ishte një shkelje ligjore dhe se kishte cënuar të drejtën e punonjësve për t’u organizuar në sindikatë apo për të protestuar.
Pas kësaj mase dhe protestës subjekti është tërhequr nga vendimi dhe ka negociuar me punonjëset duke pranuar kërkesat për të përmirësuar kushtet dhe plotësuar kërkesat e tyre sipas ligjit.
Ndërsa pritet që biznesi fason të hapë dyert për të pritur përsëri punëtoret, sipas Inspektoratit mëngjesin e së shtunës do të konkretizohet heqja e masës për pezullimin e aktivitetit ndërsa do të vijojë kontrolli i plotë deri në 10 janar për shkak të pretendimeve të ngritura nga punonjëset.
“Nga verifikimi i deritanishëm na rezultoi që punëdhënësi kishte mbajtur një pagesë prej 800 lekësh për 5 punonjëse të cila gjatë procesit të punës kishin dëmtuar materialin. Kjo ishte një shkelje për të cilën punëdhënësi u detyrua që të bëjë pagesën sipas ligjit. Në rastet e dëmeve në punë vendos gjykata dhe jo punëdhënësi, ligji ka parashikime të sakta për dëmshpërblimin”, tha Eris Papa drejtor i Inspektoratit të Punës në Korçë ndërsa shtoi më tej se do të vazhdojë inspektimi për të gjitha pretendimet e ngritura nga punonjëset.
Partia “Lëvizja Bashkë” e krijuar nga aktivistë të Organizatës Politike që ka mbështetur krijimin e sindikatës e cilësoi ngjarjen një fitore të sindikalizmit. “Kjo është një fitore historike për nga rëndësia për përpjekjen sindikale në vendin tonë. Organizimi i lirë dhe i vërtetë i punëtorëve po dëshmon se është e vetmja rrugë për të fituar të drejtat sindikale dhe ato ekonomike në vendin e punës”, thuhet në reagimin e shpërndarë në Facebook.
Kjo ishte hera e dytë që punëtoret e kësaj fasonerie u ngritën në protestë. Vitin e kaluar ato protestuan pasi një pjesë punonin pa kontratë, pa sigurime, me paga nën minimalen dhe kushte të këqija.
Pas protestës së vitit të kaluar ato pohojnë se pati disa përmirësime nga kompania, por përsëri padrejtësitë i bënë që të reagojnë duke arritur kështu fitoren e dytë në një prej sektorëve më të vështirë të punës në vend./BIRN